Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Punë të reja “shtetërore” për kompanitë e Zvonko Vesellinoviqit në Serbi

11/05/2026 - 17:06
në Lajme
A A
Punë të reja “shtetërore” për kompanitë e Zvonko Vesellinoviqit në Serbi
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Segmentet e fundit të autostradës që duhet ta lidhë Serbinë me Malin e Zi, janë shpallur prioritete të Qeverisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, pavarësisht premtimeve që zgjasin prej vitesh, këto punime në jugperëndim të Serbisë nuk kanë nisur ende.

Por, në zonën e Sjenicës, gërmimet tashmë kanë filluar.

Në afërsi të fshatrave pranë rrugës së planifikuar të autostradës, gjatë dy vjetëve të fundit, dy gurore në pronësi kryesisht të kompanive të Zvonko Vesellinoviqit kanë marrë leje shtetërore, tregon një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Dokumentet që i siguroi REL-i, tregojnë se Ministria e Minierave e Serbisë u ka dhënë atyre leje shfrytëzimi.

Në dy lokacione të tjera rreth Sjenicës, këto kompani kanë marrë edhe leje për kërkime gjeologjike, me qëllim gjetjen e rezervave të reja të gurit gëlqeror.

Zvonko Vesellinoviq paraqitet në publik si biznesmen nga veriu i Kosovës dhe ish-partner biznesi i Millan Radoiçiqit, i cili dyshohet se ka organizuar sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, në vitin 2023.

Të dy janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara prej më shumë se katër vjetësh, për akuza që lidhen me krim të organizuar dhe korrupsion.

Shteti i Serbisë, megjithatë, nuk i kushton vëmendje “listës së zezë” dhe vazhdon t’u ndajë punë fitimprurëse kompanive të Vesellinoviqit.

Ministritë përkatëse dhe kompanitë e Vesellinoviqit nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çfarë i kualifikon këto firma për këto kontrata.

Kompania ndërtimore “Inkop”, së bashku me dy kompanitë e saj bijë “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka Aleksinac”, kanë fituar rreth 9.8 milionë euro në fund të vitit 2025, sipas raporteve të tyre financiare të analizuara nga Radio Evropa e Lirë.

Të ardhurat e këtyre kompanive vijnë, mes tjerash, nga punë të financuara nga buxheti i shtetit të Serbisë.

Ministria e Ndërtimit u ka lejuar kompanive të Vesellinoviqit të jenë nënkontraktore në ndërtimin e disa segmenteve rrugore, ndërsa punë ndërtimore u kanë dhënë edhe ndërmarrja publike “Putevi Srbije” dhe disa komuna, tregojnë dokumentet.

Ndërsa kompanitë fitojnë miliona, edhe biznesi i tyre vazhdon të zgjerohet.

Dy gurore në fshatrat e Sjenicës

Segmenti përfundimtar i autostradës drejt Detit Adriatik, përmes jugperëndimit të Serbisë, do të jetë rreth 100 kilometra i gjatë.

Afatet për përfundimin e kësaj traseje janë shtyrë prej vitesh, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se partnerë kryesorë do të jenë sërish kompanitë kineze, përmes marrëveshjeve direkte, pa tender.

Deri më tani, në mesin e dhjetëra nënkontraktorëve të kompanive kineze, me miratimin e shtetit serb, kanë qenë edhe kompanitë e Vesellinoviqit – kompania ndërtimore “Inkop” nga Quprija dhe kompania e saj bijë “Novi Pazar-put”.

Kompania “Novi Pazar-put”, në prill të vitit 2024, ka marrë leje nga Ministria e Minierave e Serbisë për shfrytëzimin e gurit gëlqeror pranë fshatit Bugjevo, në komunën e Sjenicës.

Rezervat në këtë lokacion vlerësohen rreth 550 mijë metra kub (afërsisht 1.5 milion tonë) gur – me një jetëgjatësi të planifikuar të gurores prej dhjetë vjetësh.

Guri që do të nxirret në këtë zonë, përdoret si material për ndërtimin e rrugëve.

Pjesë e një dokumenti nga Ministria e Minierave të Serbisë, i cili i jep kompanisë "Novi Pazar-put" lejen për të shfrytëzuar gurin gëlqeror në vendburimin "Bugjevo". REL-i e siguroi këtë dokument pas një kërkese për qasje në informacione me rëndësi publike.
Pjesë e një dokumenti nga Ministria e Minierave të Serbisë, i cili i jep kompanisë “Novi Pazar-put” lejen për të shfrytëzuar gurin gëlqeror në vendburimin “Bugjevo”. REL-i e siguroi këtë dokument pas një kërkese për qasje në informacione me rëndësi publike.

Në zonën e shfrytëzimit, me sipërfaqe rreth 13 hektarë, është planifikuar nxjerrja e rreth 50 mijë metrave kub (135 mijë tonë) gëlqerore në vit.

“Novi Pazar-put” ka kërkuar lejen në shtator të vitit 2023, ndërsa ministria ka deklaruar se i është dorëzuar gjithë dokumentacioni i nevojshëm për miratimin e shfrytëzimit.

Në këtë lokacion, siç tregon vendimi i Ministrisë së Minierave, edhe më herët është lejuar shfrytëzimi.

Leja e re është kërkuar në bazë të një projekti minerar të hartuar në vitin 2023.

Satelitët dhe pamjet ajrore, ndër vite, tregojnë punime intensive në këtë gurore.

Një pjesë e terrenit midis fshatrave Bugjevo dhe Bioc pranë Sjenicës, ku kompania "Novi Pazar-put" ka leje për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në vendburimin Bugjevo.
Një pjesë e terrenit midis fshatrave Bugjevo dhe Bioc pranë Sjenicës, ku kompania “Novi Pazar-put” ka leje për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në vendburimin Bugjevo.

“Novi Pazar-put”, që dikur ishte kompani shtetërore ndërtimi e specializuar në ndërtimin e rrugëve, që nga viti 2020 është në pronësi të “Inkop”-it, respektivisht të vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

Që atëherë, të ardhurat e saj janë rritur.

Raporti financiar për vitin 2025, i analizuar nga Radio Evropa e Lirë, tregon se kjo kompani ka pasur të ardhura prej 29.8 milionë eurosh, ndërsa fitimi i saj ka qenë 2.7 milionë euro.

Institucionet shtetërore të Serbisë, vitin e kaluar, i kanë dhënë kësaj kompanie kontrata me vlerë prej së paku 1.4 milion eurosh, sipas të dhënave nga portali i prokurimeve publike.

Ajo është angazhuar për asfaltimin e rrugëve në Vrënjaçka Banjë dhe për mirëmbajtjen e rrugëve lokale në Tutin, Sjenicë dhe Novi Pazar.

Nga fillimi i vitit 2026, kompania ka marrë pesë kontrata me vlerë rreth 600 mijë euro.

Katër prej tyre janë nënshkruar në të njëjtën ditë me një ndërmarrje rrugësh nga Kraleva, për furnizim me agregat guri.

“Novi Pazar-put”, muajve të fundit, është promovuar edhe në rrjetet sociale për ndërtimin e rrugëve lokale në komunën e Lluçanit, në perëndim të Serbisë, për ndërtimin e një rrethrrotullimi në Prijepole, pranë kufirit me Malin e Zi, si dhe për renovimin e rrugës nga ai qytet drejt manastirit Milesheva.

Një postim në Instagram i kompanisë "Novi Pazar-put", ku mburret me punën në rrethrrotullimin në Prijepole. Prill 2026.
Një postim në Instagram i kompanisë “Novi Pazar-put”, ku mburret me punën në rrethrrotullimin në Prijepole. Prill 2026.

Megjithatë, kontratat për këto punime nuk janë të publikuara në portalin e prokurimeve publike, prandaj nuk mund të përcaktohet se në çfarë kushtesh është përzgjedhur kompania “Novi Pazar-put” si realizuese e punimeve.

Ndër partnerët kryesorë të kompanisë “Novi Pazar-put”, sipas raportit financiar të saj, është edhe ndërmarrja shtetërore “Putevi Srbije”.

Në raportin për vitin 2025 përmendet një paradhënie nga “Putevi Srbije” në vlerë prej rreth 220 mijë eurosh.

Si partnere nga e cila “Novi Pazar-put” ka marrë paradhënie, përmendet edhe kompania kineze “Shandong” – kontraktore kryesore në disa projekte rrugore në Serbi.

Pjesë e raportit financiar të kompanisë “Novi Pazar-put” për vitin 2025, që tregon shumën e avanceve të marra nga kompania publike “Putevi Srbije” dhe kompania kineze “Shandong”.
Pjesë e raportit financiar të kompanisë “Novi Pazar-put” për vitin 2025, që tregon shumën e avanceve të marra nga kompania publike “Putevi Srbije” dhe kompania kineze “Shandong”.

Vesellinoviqët kanë blerë kompaninë me leje për nxjerrjen e gurit

Biznesi i guroreve “Novi Pazar-put” po zgjerohet edhe përmes marrjes së kompanive që kanë leje për shfrytëzim në zonën e Sjenicës.

Që nga dhjetori i vitit 2025, pronarë të kompanisë “Hots Kop” nga Novi Pazari janë bërë Vesellinoviqët.

Megjithatë, as kjo kompani dhe as “Novi Pazar-put” nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me detajet – pra, në çfarë kushtesh kompania e Vesellinoviqëve është bërë pronare e “Hots Kop”.

“Hots Kop” ka vetëm një të punësuar dhe në fund të vitit të kaluar ka pasur një borxh prej rreth 7 mijë eurosh në llogari.

Në korrik të vitit 2025, ajo ka marrë leje nga Ministria e Minierave për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në guroret sipërfaqësore “Tonjak”, në fshatin Rasno pranë Sjenicës, sipas dokumenteve të analizuara nga Radio Evropa e Lirë.

Pjesë e një dokumenti nga Ministria e Minierave të Serbisë, i cili i jep miratim kompanisë "Hots Kop" për të shfrytëzuar gurin gëlqeror në vendburimin "Tonjak". REL-i e siguroi këtë dokument pas një kërkese për qasje në informacione me rëndësi publike.
Pjesë e një dokumenti nga Ministria e Minierave të Serbisë, i cili i jep miratim kompanisë “Hots Kop” për të shfrytëzuar gurin gëlqeror në vendburimin “Tonjak”. REL-i e siguroi këtë dokument pas një kërkese për qasje në informacione me rëndësi publike.

Në atë zonë, sipas dokumentacionit, ndodhen rezerva prej mbi 7.7 milionë tonësh lëndë e parë.

Shfrytëzimi vjetor i planifikuar është rreth 100 mijë metra kub gëlqeror – ose rreth 250 mijë tonë.

Bëhet fjalë për një gurore me madhësi mesatare.

Zona e shfrytëzimit prej rreth 16 hektarësh, deri tani, ka qenë me pyje dhe kullota në pronësi shtetërore.

Dy leje për hulumtim të terrenit pranë Sjenicës

Përveç lejeve ekzistuese për gurore, “Novi Pazar-put” në zonën e Sjenicës po kryen edhe hulumtime të terrenit, në kërkim të vendburimeve të reja.

Ministria e Minierave, në gusht të vitit 2025, i ka dhënë kompanisë “Novi Pazar-put” miratimin për kërkime gjeologjike të gurit gëlqeror, si lëndë e parë për gur teknik ndërtimor në lokacionin Vranjevica, pranë fshatit Duga Polana.

Një pjesë e terrenit përreth fshatit Rashkoviqe, pranë Sjenicës, ku kompania "Novi Pazar-put" ka të drejta eksplorimi në lokacionin Vranjevica.
Një pjesë e terrenit përreth fshatit Rashkoviqe, pranë Sjenicës, ku kompania “Novi Pazar-put” ka të drejta eksplorimi në lokacionin Vranjevica.

Me këtë, kompanisë i është dhënë leja për të vlerësuar nëse në atë zonë ekziston vendburim guri dhe çfarë cilësie ka ai.

Shpimet dhe marrja e mostrave duhet të përcaktojnë sasinë e lëndës së parë dhe nëse guri është i përshtatshëm – për shembull, për prodhimin e betonit, ndërtimin e rrugëve dhe përdorime të ngjashme.

Ky është hapi i parë para hapjes së mundshme të një guroreje.

Zona e kërkimit përfshin një rreze prej rreth dy kilometrash katrorë, ndërsa leja për hulumtim është dhënë për dy vjet.

Kompania “Novi Pazar-put” ka edhe një leje tjetër aktive për kërkime në territorin e Sjenicës – në lokacionin Stupska Lisa, pranë fshatit Stup, sipas dokumenteve që ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Një pjesë e terrenit përreth fshatit Stup pranë Sjenicës, ku kompania "Novi Pazar-put" ka leje për eksplorim në lokacionin Stupska Lisa.
Një pjesë e terrenit përreth fshatit Stup pranë Sjenicës, ku kompania “Novi Pazar-put” ka leje për eksplorim në lokacionin Stupska Lisa.

Çfarë tjetër bëjnë kompanitë e Zvonko Vesellinoviqit?

Përveç kompanisë “Novi Pazar-put”, “Inkop” ka në pronësi edhe tri kompani me veprimtari të ndryshme – nga ndërtimi, te hoteleria dhe transporti.

Ndër projektet ndërtimore të “Inkop”-it, të cilat më herët janë hulumtuar nga Radio Evropa e Lirë, veçohet ndërtimi i autostradës së shpejtë nga Pozharevci deri në Gollubac në lindje të Serbisë, e quajtur “Korridori i Danubit”.

Për këtë projekt, shteti serb, në shkurt të vitit 2022, ka dhënë miratimin që “Inkop” të jetë një nga nënkontraktorët e kompanisë kineze “Shandong”.

Ky projekt, me vlerë 337 milionë euro, është kontraktuar pa tender, në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kinës.

Afatet janë shtyrë disa herë, ndërsa edhe çmimi i punimeve është rritur në 524 milionë euro.

Parashikimi i fundit është që kjo rrugë të përfundojë deri në fund të vitit 2026.

Ndërsa punimet vazhdojnë, nuk dihet saktësisht se sa ka fituar “Inkop” si nënkontraktor.

Kompania nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, ndërsa fitimet nga punët shtetërore nuk pasqyrohen qartë në raportet financiare.

Sipas raportit më të fundit për vitin 2025, “Inkop” ka regjistruar të ardhura mbi 40 milionë euro dhe fitim mbi 6.3 milionë euro.

Në raport nuk specifikohet se me kë ka bashkëpunuar.

Pjesë e raportit financiar që tregon fitimet e kompanisë "Inkop" në vitin 2025.
Pjesë e raportit financiar që tregon fitimet e kompanisë “Inkop” në vitin 2025.

Bashkëpronar i “Inkop”-it deri në tetor të vitit 2023 ka qenë Millan Radoiçiq.

Ai u tërhoq nga pronësia, pasi pranoi publikisht se ishte organizator i sulmit të armatosur në Banjskë.

Ai ua dhuroi pjesën e tij në “Inkop” dhe kompanitë e lidhura me të vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

Që atëherë, Zvonko Vesellinoviq mban 60% të pronësisë në “Inkop” dhe kompanitë e lidhura, ndërsa vëllai i tij, Zharko, 40%.

Ndërkohë, biznesi i tyre me shtetin serb ka vazhduar.

Kompanitë zotërojnë gjithashtu pasuri me vlerë prej miliona eurosh – përfshirë apartamente dhe garazhe në Beograd, hapësira biznesi në Rashkë, Kralevë dhe Novi Pazar, si dhe një hotel luksoz në Kopaonik.

Pasuria e kompanisë “Dolly Bell”, e cila menaxhon hotelin në Kopaonik, në vitin 2025 është vlerësuar mbi 18.5 milionë euro, sipas raportit financiar.

Vitin e kaluar, kjo kompani ka operuar me humbje prej rreth 1.68 milion eurosh.

Pjesë e raportit financiar që tregon humbjet e kompanisë "Dolly Bell" në vitin 2025.
Pjesë e raportit financiar që tregon humbjet e kompanisë “Dolly Bell” në vitin 2025.

Si funksionojnë kompanitë e tjera të Vesellinoviqit?

Viteve të fundit, “Inkop” në Serbi ka marrë në pronësi edhe dy kompani shtetërore që kanë falimentuar.

Njëra prej tyre është “Betonjerka Aleksinac” – një ndërmarrje dikur në borxhe nga jugu i Serbisë, të cilën “Inkop” e ka blerë në tetor të vitit 2019.

Me pronarët e rinj, gjatë viteve në vijim, “Betonjerka Aleksinac” filloi të lidhë kontrata të mëdha me shtetin dhe të ardhurat e saj filluan të rriten.

Edhe kjo kompani, që nga dhjetori i vitit 2021, është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara.

Vitin 2025, “Betonjerka Aleksinac” e ka përfunduar me të ardhura rreth 4 milionë euro dhe fitim mbi 690 mijë euro, sipas raporteve financiare.

Ajo është pjesë e grupit të kompanive që kanë fituar së bashku punë nga Elektrodistribucioni i Serbisë, sipas hulumtimeve të mëparshme të Radios Evropa e Lirë.

Pjesë e raportit financiar që tregon fitimet e kompanisë "Betonjerka" në vitin 2025.
Pjesë e raportit financiar që tregon fitimet e kompanisë “Betonjerka” në vitin 2025.

Kontrata e fundit me Elektrodistribucionin është lidhur në gusht të vitit 2024 – për ndërtimin e shtyllave të linjave të transmetimit me vlerë mbi 6 milionë euro.

Në raportin financiar për vitin 2025, ndërmarrja shtetërore “Elektroprivreda Srbije” (EPS) përmendet si një nga partnerët kryesorë të biznesit të “Betonjerka Aleksinac”.

Pjesë e raportit financiar të kompanisë "Betonjerka", ku "Elektroprivreda Srbije" është e listuar si partnere biznesi.
Pjesë e raportit financiar të kompanisë “Betonjerka”, ku “Elektroprivreda Srbije” është e listuar si partnere biznesi.

“Inkop”, në dhjetor të vitit 2022, bleu edhe ndërmarrjen shtetërore “Velmortrans-plus” nga Quprija.

Kjo ishte një kompani e transportit urban që kishte falimentuar, ndërsa “Inkop” e bleu për rreth gjysmë milioni euro.

Me këtë blerje, Vesellinoviqët u bënë pronarë edhe të pasurisë së vlefshme të ndërmarrjes pranë autostradës Beograd-Nish, përfshirë stacionin e autobusëve në Qupri dhe mbi dy hektarë tokë.

Kjo kompani nuk tregon rezultate të rëndësishme financiare.

Për çfarë akuzohet Zvonko Vesellinoviq?

Në raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilin në vitin 2021 u justifikuan sanksionet, thuhet se Zvonko Vesellinoviq është udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, ndërsa Millan Radoiçiq është zëvendësi i tij, dhe se ata janë të përfshirë në një skemë të gjerë korrupsioni dhe ryshfeti.

Sipas atij raporti, grupi kriminal është i përfshirë në kontrabandë të drogës, armëve dhe mallrave mes Kosovës dhe Serbisë.

Në skemën e korrupsionit përmenden edhe politikanë, të cilëve Vesellinoviq, sipas raportit, u ka ndihmuar në fushata zgjedhore, ndërsa, në këmbim, “është shpërblyer me kontratat më të mira të infrastrukturës”.

Aty nuk është saktësuar se për cilët politikanë bëhet fjalë.

Që nga viti 2022, Radoiçiq dhe Vesellinoviq janë nën sanksione edhe të Mbretërisë së Bashkuar, për dyshime për korrupsion.

Ndërsa në Serbi nuk kanë pasoja ligjore, sanksionet janë detyruese për kompanitë dhe qytetarët amerikanë dhe britanikë, të cilëve u ndalohet të bëjnë biznes me persona në listën e zezë.

Autoritetet e Kosovës i kanë lidhur Radoiçiqin dhe Vesellinoviqin edhe me vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen e politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq. /REL

JU REKOMANDOJMË

Lladrovci: U ripërsërit modeli i ndikimit në Kryesinë e PDK-së, për ta paraqitur Bedriun humbës dhe Fatmirin jomeritor në listë

Lladrovci: Klan Kosova nuk mund të mbyllet!
11/05/2026 - 18:00

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shkruar në ‘Facebook’ pas mbledhjes dë Kryesisë së kësaj partie. Sipas tij, u ripërsërit modeli i ndikimit në Kryesinë e PDK-së. “Kreatorët...

Më shumëDetails

Vendos kryesia e PDK-së: Refuzohet rikthimi i Fatmir Limajt

Vendos kryesia e PDK-së: Refuzohet rikthimi i Fatmir Limajt
11/05/2026 - 17:56

Partia Demokratike e Kosovës ka votuar kundër përfshirjes së kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në listën e PDK’së për zgjedhjet e 7 qershorit, shkruan Reporteri.net. Vendimi është...

Më shumëDetails

OKB paralajmëron: Krizë globale ushqimore nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet

OKB paralajmëron: Krizë globale ushqimore nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet
11/05/2026 - 17:46

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se bllokimi i vazhdueshëm i Ngushticës së Hormuzit mund të shkaktojë një krizë të madhe ushqimore në botë brenda pak javësh....

Më shumëDetails

Çka po ndodhë me pasagjerët amerikanë që u kthyen nga anija e prekur nga hantavirusi?

Çka po ndodhë me pasagjerët amerikanë që u kthyen nga anija e prekur nga hantavirusi?
11/05/2026 - 17:26

Autoritetet shëndetësore në Nebraska, ShBA, kanë dhënë një përditësim pasi një shtetas amerikan, i kthyer nga anija turistike “MV Hondius”, ka rezultuar pozitiv me hantavirus. Sipas zyrtarëve, edhe...

Më shumëDetails

Ekspertja: Inteligjenca Artificiale u përdor për transkriptimin e audio-incizimeve në rastin Kuçi në Hagë

Ekspertja: Inteligjenca Artificiale u përdor për transkriptimin e audio-incizimeve në rastin Kuçi në Hagë
11/05/2026 - 16:31

Në seancën e së hënës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të...

Më shumëDetails

Totaj për rikthimin e Limajt: Nuk është çështje personale, por partiake

Totaj për rikthimin e Limajt: Nuk është çështje personale, por partiake
11/05/2026 - 16:26

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po afrohen, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka nisur mbledhjen, ku pritet të ngritet si çështje edhe mundësia e rikthimit të Fatmir Limajt në...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Reduktimet, Ymeri: KEDS nuk ka porositur rrymë më kohë, rrjeti energjetik është në prag të kolapsit total

    Nuk ishte në tubimin ku u prezantua Osmani si bartëse e listës, Janina Ymeri zbulon a ka përçarje në LDK

    123 Shpërndaje
    Shpërndaje 49 Tweet 31
  • Gjyqi i dytë në Hagë: Helen Fraser i përgjigjet mbrojtjes së Thaçit

    107 Shpërndaje
    Shpërndaje 43 Tweet 27
  • Çudi kosovare: Qumështores Rugove i zbulohet djathë i kontaminuar me baktere, por i lejohet ta kthejë në gjizë dhe ta shesë

    126 Shpërndaje
    Shpërndaje 50 Tweet 32
  • Arrestimet e fundit për dallaveret me prona, avokatja Keqekolla prej kohësh kishte ngritur publikisht dyshimet për skema të organizuara kriminale të manipulimeve në Veternik

    105 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 26
  • Kjo është e dashura 50-vjeçare e Romeo Veshajt?

    154 Shpërndaje
    Shpërndaje 62 Tweet 39

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë