Një incident fizik ka ndodhur sot në dalje të autostradës në Suharekë, ku është sulmuar një kondukter i kompanisë “Auloni Tours”.
Sipas burimeve të Insajderit, pronari i kompanisë “Arditi Tours” dyshohet se ka sulmuar fizikisht kondukterin e kompanisë “Auloni Tours, e cila është në pronësi të vëllait të tij.
Burimet bëjnë të ditur se konflikti kishte nisur pas një vonese të kondukterit. Fillimisht, dyshohet se ai ishte kërcënuar verbalisht nga Fazliu dhe më pas kishte kërkuar ndihmën e Policisë.
“Policia nuk është marrë me rastin, edhe pse ai kishte treguar se ishte kërcënuar”, tha burimi.
Sipas të njëjtit burim, pas mbërritjes në vendngjarje, kondukteri është sulmuar fizikisht dhe për shkak të lëndimeve është dërguar për trajtim në Spitalin e Prizrenit.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Sot, më 12.05.2026, rreth orës 10:10, te dalja e autostradës në Suharekë, është sulmuar një person, kondukter në një autobus. Sipas informacioneve fillestare, viktima është sulmuar nga pronari i një kompanie tjetër të transportit nga Ferizaj. Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në përgjigjen e policisë për Insajderin.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është identifikuar dhe se procedurat hetimore janë duke vazhduar.













