Ish-eprori i UÇK-së nga batalioni “Atlantiku”, Uk Lushi ka hedhur akuzën se disa anëtar të kryesisë së PDK-së po përgatiten për mundësinë e dënimit të ish-themeluesve të partisë nga Gjykata Speciale, me qëllim që të marrin kontrollin e partisë.
Lushi ka thënë se ky lloj turpi nuk ka ndodhur kurrë në historinë e jetës politike në krejt historinë shqiptare.
“Në PDK, në Kryesi të PDK-së, ka njerëz që po fërkojnë duart dhe po përgatiten për mundësinë e dënimit të themeluesve të partisë dhe shtetit nga Gjykata Speciale. Po ripozicionohen të bëjnë partinë të tyren”, ka thënë Lushi në një postim në Facebook.
“Kësi turpi nuk ka ndodhur kurrë në historinë e jetës politike në krejt historinë shqiptare, por në klanet e PDK-së po punohet të ndodhë që të kontrollohet partia”, ka thënë ai.
Ai ka bërë thirrje që persona të tillë duhet të dënohen me votë në zgjedhjet e ardhshme.
“Duhet kujtuar sa me dinjitet u soll partia AAK kur lideri i saj Ramush Haradinaj ishte në Tribunalin e Hagës”, ka thënë Lushi.
“Anëtarësia e PDK-së të tillët duhet t’i largojë duke i dënuar me votë pavarësisht numrit në listë”, ka thënë ai.
“Përndjekja politike e themeluesve të UÇK-së dhe shtetit të Kosovës është çështje vitale nacionale, prandaj intrigantët godasin edhe kombin dhe duhet të ndalohen”.














