Dy të mitur kanë përfunduar në Polici në Gjakovë pasi u kapën nga kamerat e sigurisë duke vjedhur produkte në një lokal, ndërsa njërit prej tyre iu gjet edhe thikë në brez, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për dy 15-vjeçarë me inicialet: R.K. dhe H.H.
Ngjarja ka ndodhur më 13 maj 2026 rreth orës 13:40 në rrugën “UÇK” në Gjakovë.
Sipas informatave, ankuesi H.R. i cili punonte si sigurim në lokacionin ku ndodhi rasti, kishte vërejtur përmes kamerave të sigurisë dy të miturit duke marrë: dy Red Bull, një deodorant, dhe dy çokollata “Bounty”, me vlerë totale prej 7.80 euro.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit ndaj të dyshuarve, te njëri prej tyre është gjetur edhe një mjet i mprehtë – thikë, të cilën e mbante në brez.
Të dy të miturit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe prindërve të tyre, ndërsa arma e ftohtë është sekuestruar nga Policia.
Me urdhër të Prokurorit për të mitur: ndaj të dyshuarit të parë janë iniciuar veprat: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Vjedhja”, ndërsa ndaj të dyshuarit të dytë vetëm vepra: “Vjedhja”.
Pas procedurave policore, të dy janë liruar në procedurë të rregullt.














