Ramush Haradinaj ka përkujtuar fitoren e UÇK në Shqiponjë më 17 maj 1999, duke e cilësuar atë si një moment historik që u shndërrua në testament kombëtar për mbrojtjen e Atdheut.
Ai tha se kjo fitore ndikoi në çlirimin e Kosovës brenda pak javësh dhe u shpreh se gjatë shënimit të Ditës së Çlirimit u nderuan edhe të rënët e varrosur në Kompleksin Memorial në Shqiponjë, të cilët i quajti udhërrëfyes për brezat e ardhshëm.
Postimi i plotë:
Fitorja e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 17 maj 1999 në Shqiponjë, u shndërrua në testament kombëtar të mbrojtjes së nderit të Atdheut. Kjo fitore u reflektua në mbarë vendin dhe brenda disa javëve Kosova u bë e lirë.
Ndërkohë që sot shënuam Ditën e Çlirimit, kujtuam Epopenë e saj dhe nderuam më meritorët, burrat dhe gratë që pushojnë në Kompleksin Memorial të Shqiponjës, të cilët mbesin udhërrëfyesi ynë në çdo angazhim tonin për Kosovën që e ëndërruan të rënët ndër breza.













