Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur pakot individuale me fletëvotim për votuesit e regjistruar për votim me postë.
Në një njoftim për media, bëhet me dije se janë përgatitur 75,000 pako dhe rreth 30 mijë të tjera do të bëhen gati gjatë ditës së sotme.
Çdo pako është individuale dhe secila prej tyre përmban:
Udhëzuesin për procedurën e votimit;
fletëvotimin;
zarfin e fshehtësisë; dhe
zarfin kthyes.
Këto pako, përmes operatorit ekonomik do të fillojnë të shpërndahen në shtete të ndryshme të botës.
Përmes shërbimeve postare, shpërndarja e pakove në adresat e votuesve do të fillojë gjatë ditës së enjte, 21 maj, dhe për votimin me postë jashtë vendit, planifikohet të shpërndahen rreth 105 mijë pako.
Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim.
Votimi përmes postës do të fillojë më 21 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor.
Për të mundësuar një proces më të lehtë të votimit për qytetarët e regjistruar për votim me postë, ka vënë në funksion kuti postare në gjithsej 22 shtete, si: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali të Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Po ashtu, është funksionale edhe kutia e përhershme postare KQZ-së në Kosovë.













