Kreu i OVL-UÇK’së, Hysni Gucati, ka reaguar pas deklaratës së ministres në detyrë, Fitore Pacollit, e cila tha se Lëvizja Vetëvendosje e ka mbrojtur Kosovën nga emra, si: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj.
Gucati me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ e quajti “të tmerrshme” deklaratën e Pacollit, teksa për të tha se s’ka asnjë kontribut për Kosovën, shkruan Insajderi.
“Kosova nuk është mall tregtie që mund të shitet, as pronë ekskluzive e askujt për t’u përvetësuar. Ajo është projektuar me gjakun e dëshmorëve, është ngritur mbi sakrificën e brezave të tërë dhe është mbrojtur nga bijtë e bijat më të mirë të këtij populli në ditët tona më të rënda”, deklaroi Gucati.
“Përpjekja për të ndërtuar të ardhmen duke përdhosur apo dënuar në bllok ata që i dolën zot atdheut atëherë kur mbijetesa ishte në fije të peut, nuk i shërben as të vërtetës e as përparimit. Historiografia nuk shkruhet me fraza elektorale dhe as liria nuk matet me urrejtje partiake”, vijon deklarata e tij.
“Kosova mbrohet duke ndërtuar institucione të forta, drejtësi dhe unitet, e jo duke mbjellë përçarje e duke mohuar sakrificën e atyre që shkruan historinë me gjak”, përmbyll shkrimin ai.














