Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu ka reaguar ndaj deklaratave që, sipas saj, po bëhen nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, zyrtarja e VV-së Dejona Mihali dhe Vetëvendosje kundër pjesëtarëve të UÇK-së, duke i cilësuar ato si përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet reale në vend.
Musliu ka thënë se gjuha e përdorur ndaj UÇK-së synon provokimin emocional dhe mbulimin e dështimeve të qeverisë.
“Gjuha e Albin Kurtit, Dejona Aleksander Mihailit dhe VV-së në përgjithësi kundër pjesëtarëve të UÇK-së ka vetëm një qëllim: provokimin emocional dhe largimin e vëmendjes nga dështimet, korrupsioni dhe keqëqeverisja”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka deklaruar se, sipas saj, mungesa e rezultateve po shoqërohet me sulme ndaj historisë së luftës çlirimtare.
“Kur mungojnë rezultatet, fillojnë sulmet ndaj historisë sonë më të lavdishme. Kur nuk kanë çfarë t’u ofrojnë qytetarëve, tentojnë të përçajnë popullin duke prekur plagët dhe krenarinë kombëtare”, ka theksuar ajo.
Në reagimin e saj, Musliu u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien, siç ka thënë ajo, në “debatet e sajuara”.
“Nuk duhet të biem në këtë kurth. Nuk duhet të lejojmë që debatet e sajuara të na largojnë nga problemet reale me të cilat përballet vendi çdo ditë: varfëria, ikja e të rinjve, stagnimi ekonomik dhe mungesa e perspektivës”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka përfunduar duke thënë se UÇK-ja mbetet krenari kombëtare dhe nuk duhet të përdoret për manipulime politike.
“UÇK-ja është krenaria jonë kombëtare dhe nuk mund të përdoret si mjet për manipulime politike”, ka deklaruar Musliu.













