Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës atje, Ardian Binakaj, ka reaguar lidhur me punësimin e Mentor Januzajt në Ndërmarrjen “Higjena”, i cili është anëtar i AAK-së dhe kryetar i nëndegës së kësaj partie në fshatin Isniq të Deçanit.
Binakaj, në seancën e Kuvendit Komunal, tha se Januzaj fillimisht është zgjedhur anëtar i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes “Higjena”, e më pas edhe kryesues i këtij bordi.
“Bëhet fjalë për një person që ka qenë kandidat i AAK-së për zgjedhjet lokale, që ka qenë aktiv në strukturat e saj, ndërsa së fundmi është zgjedhur edhe kryetar i një nëndege të AAK-së”, deklaroi ai.
Në videon e publikuar nga Binakaj, dëgjohet kryetari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj, duke e pranuar punësimin partiak.
Sutaj u mundua ta arsyetojë këtë duke thënë se “kjo nuk është risi në Kosovë”.
“Po, zotëri Ardian, fatkeqësisht, kështu me thanë të drejtën, kjo nuk është risi në Kosovë, as në komunën e Deçanit, por as kurrkund. Jam tu e komentu në atë aspektin që, fatkeqësisht, prej të gjitha subjekteve politike, gjithandej në komuna edhe në nivel nacional, edhe në nivel qendror, janë bërë thuajse të pashmangshme. Pashmangshëm, po absolutisht. Jo, jo, nuk po e them që s’e keni me të drejtë këtë në aspektin ligjor, po çka që këto po ndodhin… Jeta vazhdon”, tha Sutaj.













