Ish-presidentja e Kosovës dhe kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do t’i ndjekë në rrugë ligjore deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas saj kanë shpifur dhe kanë bërë denigrime ndaj saj.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Osmani tha se fushata e sulmeve dhe shpifjeve ndaj saj po zhvillohet edhe përmes profileve të rreme në rrjetet sociale, por sipas saj, burimi i tyre dihet.
“Tash ata fshihen prapa profileve të rreme, por dihet se ku e kanë burimin, sepse e kanë pasur gjithmonë në të njëjtin vend. Ne jemi duke i adresuar ato në polici dhe në organet e rendit, por siç kam paralajmëruar, do t’i adresoj edhe në gjykatat e vendit tonë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo shtoi se këtë ballafaqim do ta vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
“Këtë ballafaqim do ta vazhdoj gjatë tërë jetës sime. Nëse ata dëshirojnë të fyejnë, të ofendojnë, të godasin ulët dhe të shpifin deri në ato përmasa që nuk i ka bërë asnjë politikan më herët, atëherë kjo është një betejë jetësore. Nuk ka të bëjë vetëm me politikë, por me mbrojtjen e vlerave njerëzore”, u shpreh ajo.
Osmani theksoi se nuk do të tërhiqet nga paditë ndaj deputetëve të LVV-së për deklaratat që i konsideron shpifëse.
“Deputetë të VV-së kanë publikuar një sërë shpifjesh ndaj meje dhe për secilën prej tyre, kurdo që gjykatat tona të gjejnë kohë të merren me to, unë do të ballafaqohem në gjykatë. Fatkeqësisht procedurat po zgjasin shumë, por për çdo shpifje dhe tentim denigrimi do të përballem në gjykatë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se nuk do të lejojë që puna dhe angazhimi i saj për shtetin të njollosen.
“Nuk e kam ndërmend që punën, dinjitetin dhe jetën e ndershme që ia kam kushtuar këtij vendi ta lejoj të njolloset”, përfundoi Osmani.














