Këtu ndikon edhe fakti që popullsia e Kosovës është tkurrur për 8.8 për qind gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, ndryshimi brenda secilit komunitet është mbi këtë nivel.
Nga të gjitha komunat, përqindja e komunitetit mysliman në përbërjen e popullsisë ka shënuar rënien më të madhe në Prishtinë dhe Obiliq. Komunat me shumicë serbe nuk janë përfshirë pasi pjesëmarrja e tyre në dy regjistrimet e popullsisë ishte e ulët.

Ndërkohë, ndryshimi më i madh te komuniteti katolik vërehet në Gjakovë. Atje, përqindja mbetet më e larta në Kosovë, pavarësisht kësaj rënieje.
Popullsia ortodokse e Kosovës mbetet e përqendruar kryesisht në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Megjithatë, rritje në përqindje të ulëta të këtij komuniteti vërehen nëpër shumë komuna.
E vetmja kategori që ka pasur ngritje në përqindje në të gjitha komunat e Kosovës është ajo e banorëve të deklaruar pa ndonjë besim fetar. Përqindja më e madhe e tyre është në Prishtinë, raporton Radio Evropa e Lirë.














