Koha po mbaron për Presidentin Donald Trump që të arrijë një marrëveshje me Iranin.
Ose ndoshta është anasjelltas: Irani mund të jetë ai që po përballet me një “bombë me sahat” – në vetë puset e tij të naftës! Me vetëm pak ditë para se ato të shkatërrohen. Kështu thotë Trump, i cili duket se nuk mund të ndalet së foluri për shpërthime nafte.
Ka një grimë të vërtete në atë që po thotë Trump, megjithëse nuk do të ndodhte në mënyrën që ai e përshkruan – dhe sigurisht jo brenda afatit të shkurtër që ai përmendi.
Menjëherë pasi Irani mbylli praktikisht Ngushticën e Hormuzit për cisternat e huaja, prodhuesve vendas të energjisë u mbaruan vendet për të magazinuar naftën dhe gazin që po grumbullohej. Shumë puse në vendet fqinje të Lindjes së Mesme u detyruan të ndaleshin (industria përdor termin: “shut in”).
Edhe Irani u detyrua të ndalonte puset e veta këtë muaj pasi Shtetet e Bashkuara filluan bllokadën e ngushticës.
Ndalimi i puseve nuk është si të fikësh një çelës drite. Ai përfaqëson një sfidë komplekse inxhinierike që përfshin fizikë serioze dhe planifikim të kujdesshëm gjatë disa ditëve apo edhe javëve.
Kur puset e naftës ndalen, presioni nën tokë mund të çekuilibrohet, duke deformuar strukturën nëntokësore. Këto ndryshime mund të dëmtojnë rezervuarët, gjë që mund të krijojë probleme të ngjashme edhe për puset pranë tyre. Uji mund të depërtojë brenda, duke ulur potencialin prodhues të pusit.
Dhe, po, në raste të rralla, mund të ndodhin edhe shpërthime.
Por dëmtime serioze – e lëre më një shpërthim – nuk ka gjasa të ndodhin, bien dakord analistët e industrisë së naftës. Puset janë ndalur edhe më parë për periudha të gjata, përfshirë edhe në Iran.
Çka kishte deklaruar Trump?
23 Prill, Zyra Ovale:
“ Nëse ata nuk arrijnë ta lëvizin naftën e tyre, e gjithë infrastruktura e tyre e naftës do të shpërthejë. E dini çfarë do të thotë kjo? Sepse nuk kanë vend ku ta magazinojnë dhe, për shkak se nuk kanë ku ta magazinojnë, nëse duhet ta ndalin … ndodh diçka nën tokë që në thelb e lë atë në gjendje shumë të keqe dhe nuk rikuperohet më plotësisht.”
26 Prill, Fox News:
“Kur ke, e dini, linja me sasi të mëdha nafte që rrjedhin nëpër sistemin tënd, nëse për çfarëdo arsye ajo linjë mbyllet sepse nuk mund të vazhdosh ta fusësh në depozita apo anije, gjë që u ka ndodhur atyre (ata nuk kanë anije për shkak të bllokadës), ajo që ndodh është se ajo linjë shpërthen nga brenda, si mekanikisht ashtu edhe në tokë.”
4 Maj, Hugh Hewitt Show:
“E dini, nafta e tyre, kur e ndal naftën, nën tokë – edhe mekanikisht gjithashtu – por nën toka ka tendencë që pothuajse në 100% të rasteve, fjalë për fjalë të shpërthejë dhe të shkatërrojë gjithçka përreth saj. Dhe atë naftë nuk mund ta marrësh më kurrë.”















