Ai tha se raportet me aleatët kanë qenë kyçe në procesin e ndërtimit dhe transformimit të ushtrisë së Kosovës.
“Është shumë e lehtë të ekzistojë vullneti dhe dëshira që të avancohet në sektorin e sigurisë. Raporte kanë qenë shumë të mira me aleatët dhe në bazë të raporteve të sinqerta dhe besimit që është krijuar me ushtrinë dhe Kosovën, kemi arritur këtu ku jemi”, deklaroi Rama.
Sipas tij, krijimi i besimit me partnerët ndërkombëtarë ka qenë element thelbësor në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ne kemi arritur me besim, përkushtim dhe angazhim të bëjmë transformimin në ushtri dhe sot Kosova e ka ushtrinë e vet. Edhe pse të gjitha proceset kanë qenë sfiduese, nuk kanë qenë të lehta, nganjëherë edhe jo populliste, por ka ekzistuar një qëllim i qartë”, tha ai.
Rama shtoi se në rrethanat aktuale globale, Kosova duhet të tregojë kujdes dhe të jetë në koordinim të vazhdueshëm me aleatët.
“Tash në këtë kohë kur po flasim, duke e marrë parasysh edhe synimet për ndryshimin e rendit botëror, ne duhet të jemi koshientë, të kujdesshëm, të ndërveprueshëm e komunikativ në raport me partnerët tanë”, tha më tej Rama.














