Kristian Prenga u shfaq i bindur se mund të shkaktojë surprizë në përballjen jetësore ndaj Anthony Joshuas.
Boksieri shqiptar tregoi se fillimisht e kishte të vështirë ta besonte kur e mori lajmin se do të përballej me boksierin britanik, por e konsideron këtë moment si shansin më të madh të karrierës së tij.
Prenga deklaroi se e respekton shumë britanikun dhe se e ka ndjekur karrierën e tij prej vitesh, por beson se ka ardhur koha për ta dëshmuar veten në skenën më të madhe.
Ai tha se është stërvitur më fort se kurrë më parë dhe ndihet gati për të tronditur botën e boksit.
“Unë ushtroj fort. Jam i gatshëm. Më falni, por unë nuk jam folës i mirë. Unë nuk jam djalë që flet, por jam një djalë që godet fort, unë jam Shqiptar”, deklaroi Prenga në sy të ish-kampionit të botës.
Ky meç konsiderohet si testi i fundit për Joshuan para një përballjeje të mundshme shumë të pritur me Tyson Fury, duel që vazhdon të përflitet si një nga ngjarjet më të mëdha të boksit britanik në vitet e fundit. /Gazeta Express












