Rreshteri i Mbrojtjes së Afërt është suspenduar nga pushteti. Ai kishte deklaruar ndryshe nga Kryeministri Kurti lidhur me pretendimet se Sami Lushtaku kishte tentuar të sulmonte eskortën e Kryeministrit.
Pushteti i Albin Kurtit ka suspenduar rreshterin e Mbrojtjes së Afërt, G.M., pasi ai kishte deklaruar se Sami Lushtaku, më 31 janar 2025, nuk kishte tentuar ta sulmonte eskortën e Policisë së Kosovës.
Burimet e VOX Kosova bëjnë me dije se suspendimi ka ndodhur pasi në RTK u publikua raporti policor lidhur me këtë rast.
E gjithë kjo erdhi pas një deklarate të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në KTV, ku ai tha se kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, me veturën zyrtare kishte tentuar të shkaktonte një incident në komunikacion me eskortën zyrtare.
Kjo deklaratë u mohua nga Sami Lushtaku, çka më pas rezultoi me publikimin e raportit policor nga Televizioni Publik i Kosovës. Raporti përfshinte deklaratën e rreshterit G.M., i cili kishte thënë se “vetura e dyshuar (e Sami Lushtakut) ka bërë vetëm kyçje të vrullshme, por nuk ka rrezikuar eskortën e kryeministrit Albin Kurti”.
Megjithatë, ky deklarim duket se i kushtoi me suspendim.
Sipas burimeve të VOX Kosova, masa nuk është ndërmarrë nga Inspektorati Policor i Kosovës, por drejtpërdrejt nga Policia e Kosovës, institucion që mbikëqyret nga Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Xhelal Sveçla.















