Sinjali raportoi mëngjesin e sotëm për një aksion të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prizren, i cili ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprën penale të fajdesë, ku në mesin e tyre përmendet edhe biznesmeni nga Suhareka, Habib Tafaj.
Siç mësoi Sinjali, hetimet lidhen me ngjarje që datojnë nga viti 2021, ku të dyshuarit Habib Tafaj dhe Burim Kuqi dyshohet se kanë ushtruar vazhdimisht presion ndaj viktimave me qëllim përfitimin e interesit nga veprimtaria e kundërligjshme e fajdesë.
Sipas dosjes hetimore, viktimat L. S dhe M. S.(emra të njohur për redaksinë) dyshohet se janë detyruar të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, duke pësuar dëme materiale si pasojë e veprimeve të dyshuara.
I kontaktuar nga mediumi, biznesmenin Habib Tafaj, ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në rastin në fjalë.
Në deklarimin e tij për Sinjalin, Tafaj ka thënë se nuk ka qenë as i arrestuar, as i ndaluar dhe as i ftuar me urdhër ndalimi, por sipas tij është kontaktuar nga Policia dhe është paraqitur për intervistë.
“As nuk kam qenë i arrestuar, as nuk kam qenë i ftuar me ftesë, as nuk kam qenë i ndaluar, thjeshtë, mu ka pshtjell emri, dmth në atë mes. Më kanë thirrë Policia,jam lajmëruar, gjysmë ore intervistë, jam liru dhe çdo gjë është ok. Jam shumë i patër, absulutisht nuk kam lidhje me këtë rast.”, tha ai për Sinjalin.
Tafaj ka shtuar se ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë dhe se pas intervistimit është kthyer në shtëpi dhe po vazhdon aktivitetin e tij të përditshëm.
“Jam i gatshëm çdo herë, i jam përgjigjur Policisë dhe drejtësisë si çdo qytetar. Edhe nëse të lakohet emri, duhet me u paraqit. Unë nuk kam asgjë me këtë rast, nuk jam i përfshirë dhe nuk i njoh këta persona,” ka deklaruar ai.
Në vijim, ai ka mohuar çdo kontakt apo njohje me personat e përmendur në dosjen hetimore, duke insistuar se nuk i ka takuar asnjëherë.
Tafaj ka përsëritur se nuk ka asnjë përfshirje në rast dhe se nuk ka pasur kurrë ndonjë marrëdhënie financiare apo personale me ta.
“Unë jam komplet i papërzier në këtë rast, nuk kam të bëjë asgjë, nuk jam ndalu, as arrestu, i jam përgjigjë organeve të drejtësisë, e kam kry intervisten, jam kthy në shtëpinë teme i lirë -punën time jam duke e punu. Absolutisht, ata njerëz as nuk i njoh as kurr në jetën time si kam pa. Ata se pse më kanë përmend duhet me tregu pse më kanë përmend dhe ku e kanë marrrë emrin tem. Asnjë herë në jetën time unë këta persona nuk i kam taku, as nuk i kam pa e as nuk i njoh. S’kam të bëjë asgjë me ta. Nuk kam bërë të bëj me këtë punë fare, nuk i kam dhënë asnjë njeriu pare e as nuk mirrna me këtë pune. Merrna me një biznis të shnoshë të pastër si loti, paguaj taksa shtetit, jam krejt ok.”, tha ai.
Ai ka përsëritur se nuk ka asnjë lidhje me personat e përmendur, “edhe një herë po them që nuk i njoh, bile-bile deklaratën e kam lexu, as nuk më njohin. Edhe në bazë të deklaratës së tyre ata as nuk më njohin, dhe është e vërtetë që nuk më njohin e as nuk i njoh, të dyja,” ka deklaruar Tafaj.
Në fund, ai ka lënë të kuptohet se përmendja e emrit të tij mund të ketë motive të ndryshme, duke përfshirë edhe xhelozi apo arsye të tjera të mundshme.
“Më vjen keq për çdo person që dëmtohet, por kjo nuk do të thotë që nesër dikush mund të të përmendë pa bazë. Ndoshta edhe motivet mund të jenë të ndryshme, xhelozi apo diçka tjetër. Unë jam biznesmen dhe kjo ndikon në imazhin tim,” ka përfunduar ai.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.













