Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), përmes Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjete sociale ku shihen dy persona me një kuti votimi, duke sqaruar se rasti nuk lidhet me manipulim të procesit zgjedhor.
Sipas KQZ-së, ngjarja ka ndodhur në perimetrin e Qendrës Komunale të Numërimit në Rahovec dhe materiali që shihet në pamje është material zgjedhor jo-sensitiv.
“Pas publikimit të një videoje në rrjete sociale të dy personave me një kuti votimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ka ndërmarrë masat për të sqaruar këtë situatë”, thuhet në njoftim.
KQZ thekson se materialet e tilla shpërndahen një ditë para zgjedhjeve dhe nuk përbëjnë material të ndjeshëm zgjedhor.
“Është evidentuar se ngjarja e paraqitur në video ka ndodhur në perimetrin ku është e vendosur Qendra Komunale e Numërimit në Rahovec dhe materiali zgjedhor që shihet në pamje është material zgjedhor jo-sensitiv, i cili sipas procedurave të parapara shpërndahet një ditë para ditës së zgjedhjeve”, thuhet më tej.
Institucioni zgjedhor shton se rrethanat e rastit mund të vërtetohen edhe përmes kamerave të sigurisë dhe pranisë policore në vendngjarje.
“Për vërtetimin e rrethanave të ngjarjes ekzistojnë pamjet e kamerave të sigurisë, të vendosura në pjesën e jashtme të palestrës sportive, pamjet e kamerave të qytetit si dhe prezenca e Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes, të cilat dëshmojnë qartë vendndodhjen dhe rrethanat faktike”, thekson KQZ.
KQZ ka thënë se videoja është realizuar në hapësirën e parkingut të palestrës ku është vendosur Qendra Komunale e Numërimit në Rahovec.
“Për qëllime të transparencës dhe sqarimit të plotë të situatës, po bashkëngjesim fotografinë e lokacionit ku është realizuar video, nga e cila shihet qartë se ngjarja ka ndodhur në hapësirën e parkingut të palestrës ku është vendosur Qendra Komunale e Numërimit në komunën e Rahovecit”, thotë njoftimi.













