Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ishte pjesë e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që u mbajt në Sofje të Bullgarisë.
Përpara të pranishmëve, Haxhiu tha se bashkëpunimi rajonal ka vlerë vetëm kur është i barabartë, transmeton IndeksOnline.
“Riafirmova orientimin e qartë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe përkushtimin tonë për reforma, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe rritje të qëndrueshme. Kosova ka bërë përparim të matshëm në indekse ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit evropian” shkroi Haxhiu.
Ajo gjithashtu bëri me dije se Kosova mbetet e përkushtuar të kontribuojë si shtet demokratik, konstruktiv dhe i rreshtuar qartë me Evropën.
Më e rëndësishmja, Haxhiu deklaroi se Kosova duhet të ecë drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Ky është postimi i plotë i saj:
Në 30-vjetorin e këtij procesi, theksova se bashkëpunimi rajonal ka vlerë vetëm kur është i barabartë, gjithëpërfshirës dhe i zbatueshëm në praktikë. Rajoni ynë ka nevojë për më shumë siguri, lidhshmëri më të mirë, më shumë mundësi për të rinjtë dhe një proces evropian që ecën përpara kur standardet përmbushen.
Riafirmova orientimin e qartë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe përkushtimin tonë për reforma, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe rritje të qëndrueshme. Kosova ka bërë përparim të matshëm në indekse ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit evropian.
Ky përparim duhet të njihet. Pas më shumë se tre vjetësh nga aplikimi ynë, Kosova duhet të ecë drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Në samit u miratua edhe Deklarata e Sofjes, e cila riafirmon rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, sigurisë, lidhshmërisë, zhvillimit ekonomik dhe perspektivës evropiane të rajonit.
Nënvizova gjithashtu rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, projekteve infrastrukturore strategjike, zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese dhe trajtimit të barabartë të të gjitha vendeve në organizatat rajonale.
Kosova mbetet e përkushtuar të kontribuojë si shtet demokratik, konstruktiv dhe i rreshtuar qartë me Evropën.













