Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se në Ministrinë e Arsimit janë realizuar pagesa në vlerë totale prej 225 mijë e 570 euro, ku nuk janë nënshkruar nga zyrtari i autorizuar.
ZKA’ja thuhet se të gjitha paesat në vlerë mbi një mijë euro duhej të nënshkruheshin nga personi i autorizuar. Sidoqoftë, në Agjencinë për Aftësim Profesional dhe Arsimim për të Rritur në tetë pagesa në vlerë totale prej 225,570 euro u realizuan nga një zyrtar i pa autorizuar, shkruan Insajderi.
“Raporti i pranimit të mallit i gjeneruar nga SIMFK, për pagesat në vlerë mbi 1,000€ do të duhej të nënshkruhej nga personi/zyrtari i autorizuar. Megjithatë, në Agjencinë për Aftësim Profesional dhe Arsimim për të Rritur në tetë pagesa në vlerë totale prej 225,570€ ne kemi vërejtur që përkundër raporteve të komisioneve të pranimit të nënshkruara, dokumenti i gjeneruar prej SIMFK-së për këto pagesa nuk ishte nënshkruar nga zyrtari i autorizuar“, thuhet në gjetjen e ZKA’së.
Sipas ZKA’së, kjo ka ndodhur si rezultat i mosfunksionimit të duhur të kontrolleve të brendshme, përkatësisht mungesës së verifikimit të plotë të dokumentacionit para procedimit të pagesës.
ZKA’ja ka rekomanduar që ministri të sigurojë forcimin e kontrolleve të brendshme, në mënyrë që raporti i pranimit të mallit të nënshkruhet nga personi autorizues.
Ministria e Arsimit është pajtuar në lidhje me këtë gjetje të auditorëve.
Gjatë kësaj kohe të auditimit, Arbërie Nagavci ka qenë ministre e Arsimit dhe Fikrije Zymberi është drejtoreshë në AAAPARr, ndërkaq nga data 18 shkurt ministër është Hajrulla Çeku.










