Çmimet e naftës kanë shënuar rënie prej më shumë se 4 për qind, ndërsa tregjet e aksioneve janë rritur pas shpresave të reja për një zgjidhje diplomatike në Lindjen e Mesme.
Kjo erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump anuloi sulmet e planifikuara ndaj Irani, duke deklaruar se një marrëveshje paqeje është afër finalizimit.
Megjithëse Trump ka bërë deklarata të ngjashme edhe më herët dhe Irani ende nuk ka konfirmuar nëse do ta pranojë marrëveshjen, investitorët reaguan pozitivisht ndaj komenteve të tij se ceremonia e nënshkrimit mund të mbahet në Evropë që këtë fundjavë, me pjesëmarrjen e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Nafta e tipit Brent Crude, që shërben si pikë referimi globale, ka rënë me 4.4 për qind në 86.53 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga mesi i muajit prill.
Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate ka shënuar rënie prej 4.5 për qind.
Rënia e çmimeve të naftës ka ndikuar pozitivisht në tregjet e aksioneve.
Indekset kryesore evropiane janë rritur me më shumë se 1.5 për qind, pas fitimeve të forta në Azi, ku indeksi KOSPI në Korenë e Jugut udhëhoqi rritjen me një kërcim prej 8 për qind.












