Avokati Tomë Gashi, i ftuar në emisionin “Kosova Live”, ka reaguar ndaj ofendimeve të bëra në adresë të Rifat Jasharit nga familja historike Jashari, duke thënë se personat që përdorin gjuhë të tillë nuk meritojnë vëmendje publike.
Gjatë debatit në studio, Gashi deklaroi se fillimisht nuk ia kishte ditur as emrin dhe as mbiemrin gruas që kishte ofenduar Rifat Jasharin dhe se nuk e njeh fare.
Ai shtoi se, sipas hulumtimeve që ka bërë, ajo nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Për shkak të ofendimeve që ka bërë, me sa kam hulumtuar, ajo nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Po të ishte, do të duhej të përjashtohej menjëherë nga partia për shkak të gjuhës së papranueshme që ka përdorur ndaj Rifat Jasharit”, tha Gashi.
Ai theksoi se personat që përdorin gjuhë fyese ndaj figurave të respektuara si Rifat Jashari nuk duhet të marrin publicitet, por të injorohen.












