Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se një numër i konsiderueshëm i punëtorëve po ankohen se nuk i kanë pranuar ende 100 eurot e ndara nga Qeveria.
Në një prononcim për Front Online, Azemi tha se ende është herët për të dhënë një raport përfundimtar, pasi vonesat mund të lidhen edhe me procedurat bankare.
“Një pjesë e madhe e punëtorëve po ankohen se nuk iu kanë dalë mjetet. Megjithatë, nuk mund të japim raport përfundimtar, sepse mund të ndodhë që edhe bankat ta bëjnë këtë vonesë. Përndryshe, kemi shumë punëtorë që po thonë se nuk i kanë marrë 100 eurot”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, një pjesë e punëtorëve rrezikojnë të mbeten pa këtë përfitim për shkak të mungesës së kontratave të punës dhe mospagesës së kontributeve nga disa kompani.
Azemi rikujtoi se më herët kishte paralajmëruar se jo të gjithë punëtorët do të përfitojnë nga kjo masë.
“Në këtë rast unë kam thënë se do të ketë shumë punëtorë që nuk do ta gëzojnë këtë të drejtë, sepse së pari nuk kanë kontrata pune dhe së dyti ka kompani që nuk kanë qenë serioze dhe nuk ua kanë paguar kontributet punëtorëve. Jo rastësisht kam thënë se as 10 mijë punëtorë nuk do ta gëzojnë këtë të drejtë”, deklaroi ai.














