Është zbardhur draft-raporti zyrtar të BKS-së për qarkullimin e mbi 282 mijë eurove në llogari private të stafit. Auditori i brendshëm gjeti dhjetëra transaksione që nuk posedonin asnjë dëshmi fizike të dorëzimit. Ndonëse praktika u cilësua me rrezik të lartë, Komisioni Disiplinor ka propozuar lirimin e plotë të punonjësve nga përgjegjësia. Zyrtarët dëshmuan se zbatuan vetëm urdhra verbalë të ish-menaxhmentit të lartë. Ky draft-raport praktikisht vulos amnistinë administrative për një skandal që peshon qindra mijëra euro.
Muaj më parë Gazeta Insajderi kishte publikuar hulumtimin me titull “Afera që u tentua të fshihej në BKS: Insajderi sjell emrat e punonjësve që morën pagesa të dyshimta dhe si funksiononte skema”, ku ekspozoheshin emrat e parë dhe mekanizmi i transferimit të mjeteve financiare të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) nëpër xhirollogari private të stafit.
Së fundmi, Gazeta Insajderi ka siguruar një kopje të Draft-Raportit Përmbledhës të Konstatimeve të Komisionit Disiplinor të BKS-së. Dokumenti, i cili aktualisht mban statusin e draftit dhe është i protokolluar me datë të hapur të vitit 2026, përmban gjetjet përfundimtare të Komisionit të përbërë nga Fatos Karaçica (kryesues), Labinota Vllasaliu (anëtare) dhe Astrit Veseli (anëtar).
Raporti trajton transferet bankare të realizuara përgjatë viteve 2019–2023 në drejtim të 16 punonjësve të institucionit, me një vlerë totale prej 282,062.00 euro.
Ndonëse Komisioni zyrtarisht konstaton se kjo praktikë përbënte rrezik të lartë, propozimi i tij përfundimtar është lirimi i plotë i stafit nga përgjegjësia disiplinore, duke e klasifikuar rastin si mangësi procedurale.
Konstatimi i rrezikut dhe arsyetimi: nuk ka as shkelje disiplinore
Në Seksionin IV të këtij draft-raporti, Komisioni Disiplinor specifikon shkallën e rrezikut të këtij sistemi financimi:
“Komisioni konstaton se praktika e transferimit të mjeteve financiare të BKS-së në llogari private të punonjësve ka qenë praktikë me rrezik të lartë për kontrollin e brendshëm, gjurmueshmërinë, raportimin financiar dhe reputacionin e institucionit”, thuhet në raportin që e ka Insajderi.
Sipas dokumentit, menaxhmenti i lartë i asaj kohe nuk kishte nxjerrë asnjë vendim të shkruar apo procedurë të brendshme për të rregulluar këto transfere. Megjithatë, Komisioni ka vendosur që stafi të shpallet i lirë nga ndjekja disiplinore, me arsyetimin se të gjitha transaksionet janë të regjistruara në librat e kontabilitetit të BKS-së.
Në draft-raport thuhet se mungesa e dëshmive fizike (fletë-dorëzimeve apo nënshkrimeve të arkës) në shumë prej rasteve përbën vetëm mangësi dokumentare.
Komisioni ka argumentuar se “mungesa e dëshmisë individuale të dorëzimit nuk duhet të barazohet automatikisht me mosdorëzim të mjeteve”, pasi sipas tyre ekziston një bazë e arsyeshme të besohet se paratë kanë ndjekur rrjedhën e rregullt operacionale drejt arkës së institucionit.
“Komisioni konstaton se praktika e transferimit të mjeteve të BKS-së në llogari private të punonjësve ka qenë praktikë me rrezik të lartë për kontrollin e brendshëm, gjurmueshmërinë, raportimin financiar dhe reputacionin institucional. Megjithatë, përgjegjësia disiplinore individuale nuk duhet të supozohet vetëm nga fakti se punonjësi është shënuar si pranues në transaksion bankar. Për secilin rast duhet të provohet roli real i punonjësit, dijenia, urdhri, përfitimi/përdorimi faktik i mjeteve, dokumentacioni mbështetës dhe dëmi eventual”, thuhet në këtë raport i bërë nga Fatos Karaçica, Labinota Vllasaliu dhe Astrit Veseli.
Gjeneza e skemës dhe rolet e menaxhmentit
Draft-raporti zbardh se kjo praktikë ka filluar pasi bankat komerciale ndaluan tërheqjen e mjeteve financiare përmes çeqeve direkt nga arkatari. Si rrjedhojë, mjetet filluan të transferoheshin në llogari private të punonjësve, të cilët më pas i tërhiqnin në kesh për nevojat e arkës së institucionit.
Si inicues kryesor i transaksioneve identifikohet ish-Drejtori Financiar, Valon Berisha, kurse aprovimet e transfereve bankare janë kryer përmes autorizimeve të kombinuara mes Valon Berishës, Shefit të Kontabilitetit Bashkim Vitija, dhe ish-Kryeshefin Ekzekutiv Sami Mazreku.
“Nga dokumentet e shqyrtuara dhe nga deklarat e pranuara rezulton se deri ne fillim te vitit 2019 terheqjet per qellimet e arkes jane bere nepermjet çeqeve bankare, ku arkatari ka shkuar direkt ne banke dhe e ka bere terheqjen e mjeteve. Ne fillim te vitit 2019 kjo praktike eshte nderprere nga banka dhe nuk eshte mundesuar terheqja me qeqe, mjetet kane filluar te transferohen ne llogarite e punonjeseve, fillimisht ne llogarine e arkatarit, te cilet dhe kane pasur autorizime per te pranuar keto mjete dhe per t’i dorezuar ne arke. Duke filluar nga viti 2021 me ardhjen e drejtorit te financave Z. Valon Berisha transferimi i mjeteve per qellime te arkes dhe shpenzimeve te udhetimeve zyrtareve eshte bere ne llogarite private edhe tek stafi tjeter i BKS-se. Kjo praktike e transferimit te mjeteve llogari private të punonjësve të BKS-së ka eskaluar pergjate viteve 2021, 2022 dhe 2023. Vlen te theksohet se stafit i cili ka qene eksluzivisht i dedikuar per menaxhimin e arkes i eshte nderprere kontrata ne fund te vitit 2020. Per disa nga keto avanse eshte pranuar nje liste nga auditori i brendshem ku ceket se kane mbeshtetje/arsyeshmeri te shpenzimeve”, thuhet në draft-raportin që e ka Insajderi, që duket se është finalizuar me ndonjë chat-bot me Inteligjencë Artificiale (AI).
Komisioni i përberë nga Fatos Karaçica, Labinota Vllasaliu dhe Astrit Veseli konstaton se “Gjate periudhes 2022 dhe 2023 tek disa zyrtare te BKS eshte bere transferimi i mjeteve ne forme te paradhënieve, paradhënie per udhetime zyrtare, paradhënie qellime mjekësore dhe per nje rast ne forme donacioni. Komisioni nuk ka arritur të sigurojë vendime nga menaxhmenti i atehershem lidhur me keto transfere, poashtu nuk kemi informacion per ndonje procedure te shkruar qe rregullon çështjen e paradhenive ndaj punetoreve te BKS-se. Praktika e dhenies se avanseve ne baze te te dhenave ne kontabilitet ka ekzistuar edhe para kesaj periudhe qysh prej themelimit te BKS-se”.
Sipas treshes, “në rastet e transferimit të mjeteve në llogaritë personale të punonjësve të BKS-së për qëllime të arkës, nga dokumentacioni i shqyrtuar rezulton se transaksionet janë evidentuar në librat e kontabilitetit. Bazuar në praktikën e ndjekur dhe në deklarimet e stafit, mjetet janë tërhequr nga punonjësit dhe janë dorëzuar në arkë ose te personat përgjegjës për administrimin e arkës”
Bazuar në deklaratat, dëshmitë e paraqitura dhe praktikën operative të BKS-së, komisioni i përberë nga Fatos Karaçica, Labinota Vllasaliu dhe Astrit Veseli evidenton këto elemente kryesore të procesit:
“Per vitet 2021, 2022 dhe 2023 ku ka qene volumi shume i madh i transfereve te mjeteve ne llogarite private te punonjesve, inicimi eshte bere nga ish drejtori financiar Valon Berisha.
Te gjitha transferet mjeteve sipas procedures bankare jane aprovuar nga Drejtori Financiar Valon Berisha apo Shefi i Kontabilitetit Bashkim Vitija dhe Kryeshefi Ekzekutiv Sami Mazreku.
Punonjesit jane njoftuar me telefon ose gojarisht lidhur me transferin e mjeteve ne llogarite personale te tyre dhe eshte kerkuar nga ta qe t’i dorezojne mjetet ne arke. Shumica prej punonjesve deklarojne se nuk jane njoftuar paraprakisht apo kane dhene pelqim per transferin e ketyre mjeteve ne llogarite e tyre.
Mjetet jane terhequr nga punonjesit ne diten e transferit dhe jane dorezuar ne Arke. Ne disa raste nuk u janë rimbursuar komisionet bankare per terheqje.
Sipas deklarimeve dhe dëshmive të pranim-dorëzimit, në disa raste mjetet i janë dorëzuar Shefit të Kontabilitetit Bashkim Vitija dhe më pas ish-Drejtorit Financiar Valon Berisha. Për disa raste mungon dëshmia individuale e dorëzimit, por jo regjistrimi kontabël i transaksionit”.
Për të gjitha rastet ekzistojnë regjistrime në librat e kontabilitetit, sipas komisionit.
Komisioni vazhdon arsyetimin e përfituesve duke konstatuar se në rastet e transferimit të mjeteve në formë paradhënie tek stafi i BKS-së “kërkesa ka ardhur nga stafi i BKS dhe është miratuar nga Drejtori Ekzekutiv (Sami Mazreku).
“Përjashtimisht ne rastet e meposhtme:
1. Faik Sulejmanit ku transferi i mjeteve eshte parapare si bonus per perfaqesime gjyqesore per kontestet ndaj BKS, poashtu ne kete rast mjetet i jane kthyer BKS nepermjet transferit bankar nga Faik Sulejmani para mbylljes se vitit pasi menaxhmenti nuk ka nxjerrur ndonje vendim per transaksionin ne fjale.
2. Fatime Restelica per te cilen transferi ka qene i dedikuar si donacion per çështje mjekësore e cila nuk ka qene informuar paraprakisht.
3. Edona Ahmeti, te ciles paradhenia eshte dhene per udhetime zyrtare per takimet ne Byrote Rajonale”.
Sipas komisionit “të gjitha transferet mjeteve sipas procedures bankare janë aprovuar nga Drejtori Financiar Valon Berisha apo Shefi i Kontabilitetit Bashkim Vitija dhe Kryeshefi Ekzekutiv Sami Mazreku”.
Komisioni ka vazduar duke arsyetuar këtë praktikë që është në vlerë afrrro 300 mijë euro.
“Komisioni konstaton se për të gjitha transferet e shqyrtuara ekzistojnë regjistrime në kontabilitet. Ky fakt tregon se transaksionet janë evidentuar në librat kontabël të institucionit dhe nuk janë trajtuar si transfere jashtë sistemit kontabël”, thuhet në raport.
Komisioni ka marrë parasysh edhe praktikën e ndjekur në rastet e tjera të ngjashme, “ku transferet në llogari të punonjësve janë përdorur si mekanizëm operacional për transferin e parasë së gatshme dhe dorëzimin e saj në arkë. Bazuar në këtë praktikë, krijohet bazë e arsyeshme për të vlerësuar se edhe në rastet ku mungon dëshmia individuale e dorëzimit, mjetet kanë ndjekur të njëjtën rrjedhë operative dhe janë dorëzuar në arkë”.
Në këtë kuptim, sipas raporti, edhe “mungesa e dëshmisë individuale të dorëzimit nuk duhet të barazohet automatikisht me mosdorëzim të mjeteve apo me përfitim personal nga punonjësi. Ajo paraqet kryesisht mangësi në dokumentimin formal të procesit, përkatësisht mungesë të fletë-dorëzimit, nënshkrimit apo dokumentit tjetër mbështetës që do ta vërtetonte në mënyrë të drejtpërdrejtë dorëzimin e mjeteve”, konstaton raporti i hartuar nga nga Fatos Karaçica, Labinota Vllasaliu dhe Astrit Veseli .
Prandaj, sipas treshes, “për rastet ku ekziston regjistrimi kontabël dhe ku natyra e transaksionit është e njëjtë me praktikën e rregullt të institucionit, mungesa e dëshmisë individuale nuk përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për konstatimin e përgjegjësisë disiplinore të punonjësit, në mungesë të provave të tjera që tregojnë për keqpërdorim, mosdorëzim apo përfitim personal”.
Pasqyra e plotë e 16 zyrtarëve, dëshmitë dhe deklaratat e tyre
Më poshtë paraqitet pasqyra e plotë e të gjithë individëve të përfshirë, e ndarë saktësisht sipas numrit të transfereve me dëshmi, atyre pa dëshmi, si dhe deklaratave zyrtare të dhëna prej tyre para Komisionit Disiplinor:
1. Dorontina Stublla (Operatore e Shitjes) – 53,700.00 EUR (Gjithsej 29 transaksione): 4 transaksione me dëshmi / 25 transaksione pa dëshmi fizike të dorëzimit.
Deklarata para Komisionit: “Nuk kam qenë e njoftuar paraprakisht për transferet, por mjetet i kam tërhequr dhe i kam dorëzuar në arkë, praktikë kjo e konfirmuar edhe nga ish-Kryeshefi Sami Mazreku.”
E liruar nga përgjegjësia.
2. Bashkim Vitija (Shef i Kontabilitetit) – 29,050.00 EUR (Gjithsej 15 transaksione): 15 transaksione me dëshmi të plota kontabël (për mjetet e arkës) dhe dëshmi bankare të kthimit (për avanset) / 0 transaksione pa dëshmi.
Deklarata para Komisionit: “Mjetet për furnizim të arkës janë dorëzuar plotësisht, ndërsa avanset personale prej 9,000 eurosh janë kthyer brenda vitit kalendarik.”
Propozohet “Të diskutohet tutje” çështja e avanseve, por konstatohet mospasja e shkeljes disiplinore.
3. Arta Kastrati (Zyrtare e Financave) – 24,550.00 EUR (Gjithsej 12 transaksione): 4 transaksione me dëshmi / 8 transaksione pa dëshmi fizike të dorëzimit në momentin e auditimit.
Deklarata para Komisionit: “Kam zbatuar urdhrat e ish-Drejtorit Financiar Valon Berisha, i cili më ka garantuar se përgjegjësia për çdo gjë i takonte atij dhe se mjetet u kthyen brenda ditës.”
E liruar nga përgjegjësia.
4. Afrim Kryeziu (Koordinator i Pikës Kufitare Krushevë) – 16,000.00 EUR (Gjithsej 8 transaksione): 1 transaksion me dëshmi (autorizimi zyrtar) / 7 transaksione pa dëshmi dorëzimi në arkë.
Deklarata para Komisionit: “Ekziston vendimi me shkrim i ish-Drejtorit Ekzekutiv që rregullonte dhe autorizonte kalimin e këtyre mjeteve në llogarinë time për nevojat e pikës kufitare.”
I liruar nga përgjegjësia.
5. Lavdim Statovci (Zyrtar i Arkivës) – 12,750.00 EUR (Gjithsej 11 transaksione): 1 transaksion me dëshmi (pagë shtesë e taksuar) / 10 transaksione pa dëshmi mbështetëse për paratë e gatshme.
Deklarata para Komisionit: “Mjetet e tërhequra në kesh janë dorëzuar për nevojat e institucionit, ndërsa pjesa tjetër ka qenë pagë shtesë e taksuar rregullisht.”
I liruar nga përgjegjësia.
6. Saranda Sogojeva (Operatore e Shitjes) – 12,562.00 EUR (Gjithsej 7 transaksione): 3 transaksione me dëshmi / 4 transaksione pa dëshmi fizike të dorëzimit.
Deklarata para Komisionit: “Transferet janë realizuar pa njoftim paraprak dhe pa pëlqimin tim, burimor nga menaxhmenti, por mjetet janë përdorur rreptësisht për nevojat operative të institucionit.”
Konstatohet se nuk ka kryer shkelje të procedurave disiplinore.
7. Ilir Prapashtica (Shef i Trajnimeve) – 7,000.00 EUR (Gjithsej 2 transaksione): 2 transaksione me dëshmi të plota (fatura udhëtimi dhe ndalesat nga paga) / 0 transaksione pa dëshmi.
Deklarata para Komisionit: “Vlera prej 2,000 eurosh është mbuluar me dëshmi për udhëtim zyrtar, ndërsa 5,000 euro kanë qenë avans personal për shërim, të cilat më janë ndalur rregullisht nga paga.”
I liruar nga përgjegjësia
8. Faik Sylejmani (Drejtor i Departamentit Ligjor) – 5,000.00 EUR (1 transaksion): 0 transaksione me dëshmi të vendimit formal me shkrim / 1 transaksion pa dëshmi paraprake, por me dëshmi të mëvonshme të kthimit bankar.
Deklarata para Komisionit: “Mjetet më janë transferuar si bonus për përfaqësime gjyqësore, dhe ato janë kthyer plotësisht në BKS përmes transferit bankar pas 7 muajsh.”
I liruar nga përgjegjësia.
9. Rrezarta Tafilaj (Drejtoreshë e Sigurimit Kufitar) – 5,000.00 EUR (1 transaksion): 0 transaksione me dëshmi të vendimit të protokolluar / 1 transaksion pa dëshmi (avans verbal, i kthyer përmes bankës).
Deklarata para Komisionit: “Mjetet janë marrë si avans personal pas një aprovimi verbal nga ish-Drejtori Ekzekutiv dhe shuma është kthyer plotësisht brenda 4 muajve.”
Procedura e mbyllur pa masa disiplinore.
10. Valmir Rexha (Mbikëqyrës i Dëmeve) – 5,000.00 EUR (1 transaksion): 0 transaksione me dëshmi kërkese formale / 1 transaksion pa dëshmi paraprake (i kthyer përmes bankës).
Deklarata para Komisionit: “Ky ka qenë një avans personal i marrë pas një njoftimi verbal në mbledhje të menaxhmentit se punonjësit mund të tërheqin mjete, dhe paratë janë kthyer përmes bankës.”
I liruar nga përgjegjësia.
11. Liridon Makolli (Koordinator i Pikës Kufitare Merdare) – 5,000.00 EUR (1 transaksion): 1 transaksion me dëshmi të faturave dhe raporteve të aprovuara / 0 transaksione pa dëshmi.
Deklarata para Komisionit: “Mjetet janë tërhequr në kesh dhe i janë dorëzuar Valon Berishës për udhëtime zyrtare, të cilat janë vërtetuar me fatura të arsyetuara.”
Konstatohet se nuk ka shkelje.
12. Vanesa Gashi (Zyrtare e Financave) – 4,000.00 EUR (2 transaksione): 2 transaksione me dëshmi (pasi prezantoi fletëpranimet fizike gjatë dëgjimit) / 0 transaksione pa dëshmi.
Deklarata para Komisionit: “Mjetet e tërhequra ia kam dorëzuar personalisht Bashkim Vitijës dhe për këtë posedoj fletëpranimet fizike që e dëshmojnë dorëzimin.”
E liruar nga përgjegjësia.
13. Edona Ahmeti (Drejtoreshë e Kartonit të Gjelbër) – 4,000.00 EUR (1 transaksion): 1 transaksion me dëshmi (raporte administrative të vizitave) / 0 transaksione pa dëshmi.
Deklarata para Komisionit: “Mjetet kanë qenë avans për udhëtime zyrtare jashtë vendit pranë Byrosë rajonale dhe çështja është mbyllur medorëzimin e raporteve të vizitave.”
Çështja u konsiderua e mbyllur.
14. Meriton Berisha (Zyrtar i Logjistikës) – 3,500.00 EUR (2 transaksione): 0 transaksione me dëshmi / 2 transaksione pa dëshmi fizike (mungesë faturash në dosje).
Deklarata para Komisionit: “Mjetet më kanë kaluar në llogari pa njoftim paraprak. Sapo i kam parë, i kam tërhequr dhe ia kam dorëzuar menjëherë në formë kesh Bashkim Vitijës pa nënshkruar letër.”
I liruar nga përgjegjësia.
15. Fatime Hamiti Restelica (Zyrtare e Kartonit të Gjelbër-MoU) – 3,000.00 EUR (1 transaksion):1 transaksion me dëshmi (i regjistruar në sistemin e kontabilitetit) / 0 transaksione pa dëshmi.
Deklarata para Komisionit: “Mjetet janë transferuar si donacion për trajtim mjekësor i inicuar nga menaxhmenti i lartë, pa ndonjë kërkesë formale të shkruar nga ana ime.”
Konstatohet që nuk ka shkelje.
16. Lindita Cakaj (Zyrtare e Financave) – 2,500.00 EUR (1 transaksion): 0 transaksione me dëshmi të fletë-dorëzimit zyrtar / 1 transaksion pa dëshmi (e mbuluar me komunikim SMS).
Deklarata para Komisionit: “I kam shprehur shqetësimin tim përmes SMS-ve ish-Drejtorit Financiar për këtë metodë transferi përpara se t’ia dorëzoja mjetet po atë ditë.”
E liruar nga përgjegjësia.
Ky raport përmbledhës gjendet aktualisht në fazën e draftit dhe po pret procedimin e mëtutjeshëm administrativ për t’u nënshkruar formalisht nga anëtarët e Komisionit Disiplinor.
Dokumenti zyrtarizon faktin që praktika pesëvjeçare ka ekzistuar dhe ka shmangur rregullat standarde të kontrollit të brendshëm, mirëpërcakton rolin e ish-menaxhmentit si iniciues, por rekomandon mbylljen e të gjitha rasteve disiplinore për stafin e përfshirë.













