Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se do t’i bllokojë autobusët dhe tramin Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili njoftoi të mërkurën për realizimin e zotimit për të sjellë autobusë të rinj elektrikë dhe tram në kryeqytet.
“Ofrimi i shërbimeve publike siç është transporti publik, mund të bëhet edhe përmes operatorëve privatë siç po dëshiron ta bëjë Komuna e Prishtinës, mirëpo kjo gjë duhet të bëhet sipas procedurave që parashihen në Ligjin për Partneritet Publiko Privat, për t’u siguruar se paraja publike nuk keqpërdoret”, shkroi Murati në Facebook.
Komuna e Prishtinës, Murati pretendon se “nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon Ligji në fuqi, prandaj çfarëdo aranzhimi, marrëveshje apo kontrate që është nënshkruar në lidhje me këtë çështje, ajo është në shkelje të plotë të Ligjit për Partneritet Publiko Privat”.
“Organet e rendit do duhej të vepronin sa më parë në lidhje me këtë rast në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i parasë publike”, potencon ai.
Rama prezantoi të mërkurën tramin dhe autobusët elektrikë. “Sot përkrahëm operatorët në proces të financimit për 15 autobusë elektrikë dhe 2 Tram”, shkroi Rama në Facebook, derisa publikoi fotografi se si do të duken autobusët e rinj në kryeqytet.













