Përfshirja e Kosovës në projektin amerikan të gazit natyror të lëngshëm (LNG) është e domosdoshme për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa mbetja jashtë këtyre iniciativave do të dërgonte një mesazh të keq për raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerëson kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Sipas tij, Kosova aktualisht është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka mbetur jashtë projekteve rajonale të gazit amerikan, ndërsa shtetet e tjera të rajonit po avancojnë bashkëpunimin energjetik me SHBA-në përmes marrëveshjeve konkrete.
“Ne jemi duke e parë me shqetësim. Me shqetësim, për shkak se vetëm Kosova për momentin ka mbetur jashtë gazit amerikan. Ne jemi dëshmitarë ku të njëjtën ditë që Shqipëria nënshkroi me Greqinë marrëveshjen për gazin amerikan, të njëjtën ditë Kroacia me Bosnjën e nënshkruan po të njëjtën marrëveshje me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që Bosnja ta merr gazin nga terminali në Krk të Kroacisë. Dhe këto marrëveshje shkojnë përtej gazit, kjo e ka të mirën ekonomike, ndikon në zhvillim ekonomik, ndikon që të jesh i pavarur nga gazi rus. Se ku ta di unë, po të varesh vetëm nga gazi amerikan”, tha ai.
Rafuna theksoi se një marrëveshje e tillë do të sillte përfitime ekonomike dhe strategjike për Kosovën.
“Kosova nuk guxon të jetë e vetme pa u qasur në gazin amerikan. Kështu që një marrëveshje e tillë, përveç të mirave ekonomike, siç e dhashë, na sjell edhe një bashkim më të madh strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ardhmen më të mirë të Kosovës. Qoftë në kuptimin e sigurisë, qoftë në kuptimin ekonomik, po edhe në fusha të tjera”, tha ai.
Ai paralajmëroi se refuzimi i një marrëveshjeje të tillë do të kishte pasoja negative në raportet me SHBA-në.
“Do të jetë mesazhi më i keq. Ne jemi dëshmitarë që Amerika prej vitit, edhe para ’99, po sidomos prej ‘99-s, sa shumë ka investuar në Kosovë. Dhe sa shumë është duke investuar prapë. Ne si Odë Ekonomike, për shembull, pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne nuk kishim mundur t’i marrim të gjitha këto shërbime që ua ofrojmë biznesit, që janë shërbime ndërkombëtare. Si çështja e barkodit, si çështja e origjinës, si tani çështja e ATA karnetit që është në përfundim e sipër”, tha ai.
Sipas Rafunës, mbështetja amerikane ka qenë vendimtare edhe për integrimin ndërkombëtar të Kosovës.
“Kështu që, edhe anëtarësimi në shumë organizata ndërkombëtare është bërë me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e gjithë kjo mbështetje nuk guxon të humbet, dhe ne të jemi jashtë gazit amerikan. Ne duhet të qëndrojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duhet të bashkohemi me urgjencë. Është dashur që ne të jemi të parët në Ballkan që do ta nënshkruajmë marrëveshjen me gazin amerikan dhe me qeverinë amerikane”, tha ai.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara në rajon përmes projekteve të gazit të lëngshëm natyror (LNG).
Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka shprehur më shumë interesim për “gazifikimin e qymyrit” vendor.
“Këtë [gazifikimin e qymyrit] mund ta bëjmë me një kompani amerikane, për shembull”, ka deklaruar më herët Kurti.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka bërë vazhdimisht thirrje për përfshirjen e Kosovës në projektin e LNG-së amerikane. E ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Anu Prattipati, ka deklaruar në fillim të qershorit se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji, duke cituar të dhënat e Doganës së Kosovës sipas të cilave vendi ka shpenzuar 735 milionë euro për importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje në katër vjetët e fundit.
Sipas këtyre të dhënave, importi i energjisë është rritur nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.
Prattipati ka vlerësuar se, nëse çmimet dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga furnizimi energjetik i vendeve fqinje.
Ndërkohë, Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina kanë hyrë në iniciativa të rëndësishme me kompani amerikane dhe me SHBA-në për zgjerimin e rrjetit të gazit, përfshirë projektet që synojnë reduktimin e varësisë nga furnizimet ruse./EO/











