Ish-deputetja e LDK-së nga Vushtrria, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ashpër pas aksidentit tragjik në udhëkryqin e njohur në magjistralen Vushtrri–Mitrovicë, ku humbi jetën i riu Drilon Meniqi.
Duke kujtuar se për shumë kohë kishte ngritur shqetësimin për semaforët jashtë funksionit në këtë pikë, Krasniqi ka drejtuar kritika të forta ndaj qeverisë dhe ministrit Dimal Basha, për mosveprim.
“Për të disatën herë kam ngritur shqetësimin për semaforët jashtë funksionit në këtë udhëkryq. Fatkeqësisht, mbrëmë në këtë vend humbi jetën një djalë i ri. Sa jetë duhet të humben që institucionet të veprojnë?”, ka shkruar ajo.
Sipas Krasniqit, mosfunksionimi i semaforëve dhe mungesa e reagimit institucional nuk mund të arsyetohen më me neglizhencë.
“Kjo nuk është më vetëm neglizhencë, por dështim për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, ka theksuar ajo, duke përmendur publikisht edhe Dimal Bashën dhe duke kërkuar përgjegjësi për mungesën e veprimit ndaj një problemi që, sipas saj, ishte paralajmëruar vazhdimisht.
Në fund, Krasniqi i ka shprehur ngushëllime familjes Meniqi për humbjen e rëndë.
“U prehtë në paqe, Drilon Meniqi”, ka shkruar ajo.












