Besnik Tahiri, AAK, ka deklaruar për GazetaBlic se refuzimi i gazit amerikan do të ishte një goditje serioze për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, një vendim i tillë do të dërgonte një mesazh të gabuar ndaj aleatit kryesor që ka luajtur rol vendimtar në lirinë, shtetësinë dhe sigurinë e Kosovës.
“Refuzimi i gazit amerikan do të ishte goditje serioze për marrëdhëniet Kosovë–Amerikë dhe një mesazh i gabuar ndaj aleatit që ka qenë vendimtar për lirinë, shtetësinë dhe sigurinë e Kosovës”, thotë Tahiri.
Tahiri tha se, në rrethanat aktuale gjeopolitike, Kosova nuk ka hapësirë për eksperimente politike apo energjetike që mund të rrezikojnë partneritetin strategjik me SHBA-në.
Ai theksoi se marrëdhëniet me Amerikën janë interes jetik shtetëror dhe se çdo veprim që mund të krijojë tensione apo distancim duhet të shmanget.
“Në rrethanat aktuale gjeopolitike, Kosova nuk e ka luksin të bëjë eksperimente politike apo energjetike që mund të rrezikojnë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara. Marrëdhëniet me SHBA-në janë interes jetik shtetëror dhe çdo vendim që mund të krijojë tension apo distancim duhet të shmanget me çdo kusht”, tha Tahiri për GazetaBlic.












