Në një atmosferë miqësore dhe të mbushur me frymën e bashkëpunimit, Bashkia Roskovec mirëpriti delegacionin e Bashkisë Letychiv nga Ukraina, duke shënuar nisjen e një vizite të rëndësishme në kuadër të programit të shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të partneritetit ndërmjet pushteteve vendore.
Dita e parë e vizitës nisi me pritjen zyrtare në zyrën e Kryetares së Bashkisë Roskovec, znj. Majlinda Bufi, dhe vijoi me një takim të zgjeruar në sallën e mbledhjeve, ku morën pjesë drejtues vendorë, përfaqësues institucionesh, partnerë ndërkombëtarë dhe anëtarë të delegacionit ukrainas.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja Bufi vlerësoi rëndësinë e kësaj vizite, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy bashkive përfaqëson më shumë se një shkëmbim eksperiencash – ai është një investim në ndërtimin e urave të reja të mirëkuptimit, zhvillimit dhe partneritetit afatgjatë.
“Si një bashki me karakter rural, objektivi ynë kryesor mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve. Kemi punuar intensivisht për t’iu afruar standardeve europiane të qeverisjes vendore dhe mbetemi të hapur ndaj çdo bashkëpunimi që sjell zhvillim dhe progres”, u shpreh ajo.
Një moment i veçantë i takimit ishte përshëndetja e Ambasadorit të Ukrainës në Shqipëri, Sh.T.Z. Volodymyr Shkurov. Ai falënderoi Shqipërinë dhe veçanërisht komunitetin e Roskovecit për solidaritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj popullit ukrainas gjatë viteve të luftës.
Ambasadori ndau gjithashtu zhvillimet më të fundit në marrëdhëniet dypalëshe, duke përmendur nënshkrimin e një marrëveshjeje të re në fushën e transportit rrugor dhe avancimin e diskutimeve për marrëveshje të rëndësishme në fushën e tregtisë së lirë dhe shmangies së tatimit të dyfishtë.
“Takime si ky dëshmojnë rrugën e suksesshme që Shqipëria po ndjek drejt integrimit europian. Bashkëpunimi mes institucioneve vendore krijon mundësi reale zhvillimi dhe afron më shumë popujt tanë”, deklaroi ambasadori.
Me emocione të veçanta u prit edhe fjala e Kryetarit të Bashkisë Letychiv, z. Ihor Tysiachnyi, i cili shprehu mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë të Roskovecit dhe gatishmërinë për të ndërtuar bashkëpunim konkret në fusha si bujqësia, kultura, arsimi dhe teknologjia.
Ai theksoi se, pavarësisht sfidave të mëdha që po kalon Ukraina, vendi vijon të investojë në zhvillim dhe inovacion, duke shprehur dëshirën që shqiptarët të njohin Ukrainën jo vetëm përmes lajmeve të luftës, por edhe përmes potencialit dhe vlerave të saj njerëzore.
Një pjesë e fjalës së tij preku ndjeshëm të pranishmit, kur tregoi se shumë familjarë të anëtarëve të delegacionit ndodhen aktualisht në frontin e luftës. Prania e tyre në Roskovec, tha ai, është dëshmi e besimit tek bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rëndësia e partneriteteve që ndërtojnë shpresë për të ardhmen.
Takimi vijoi me përshëndetjet e Drejtorit Ekzekutiv të NALAS, z. Elton Stafa, dhe Drejtoreshës Ekzekutive të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, znj. Adelina Farrici, të cilët vlerësuan rolin aktiv të Bashkisë Roskovec në rrjetet e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kontributin e saj në ndarjen e praktikave të suksesshme të qeverisjes vendore.
Më pas, Sekretarja e Përgjithshme e Bashkisë Roskovec, znj. Delina Hoxha, prezantoi strukturën organizative të institucionit, sfidat e territorit dhe prioritetet strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm. Një vëmendje e veçantë iu kushtua qëndrueshmërisë financiare të bashkisë, ku mbi gjysma e buxhetit sigurohet nga të ardhurat vendore.
Në vijim, Drejtori i Zhvillimit Bujqësor, z. Viktor Kola, prezantoi potencialin e jashtëzakonshëm bujqësor të Roskovecit, zhvillimin e serave diellore, sektorin e blegtorisë dhe investimet në sistemet e ujitjes, duke dëshmuar se bujqësia mbetet një nga motorët kryesorë të ekonomisë lokale.
Interes të veçantë ngjallën investimet e Bashkisë Roskovec në energjinë e rinovueshme dhe menaxhimin modern të ujitjes. Kryetarja Bufi prezantoi projektin e Stacionit të Pompimit Arapaj–Matkë dhe përdorimin e paneleve fotovoltaike, të cilat kanë ulur ndjeshëm kostot për fermerët dhe kanë rritur efikasitetin e sistemit.
Sipas saj, investimi prej rreth 70 milionë lekësh ka mundësuar rehabilitimin e kanaleve ujitëse dhe ngritjen e një sistemi modern pompimi, ndërsa objektivi afatgjatë mbetet sigurimi i ujitjes me kosto energjie zero për fermerët e zonës.
Pas një dite intensive diskutimesh, prezantimesh dhe shkëmbimi eksperiencash, Kryetarja Majlinda Bufi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin e tyre, duke theksuar se kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve mes Roskovecit dhe Letychiv.
Vizita pritet të vijojë gjatë ditëve në vazhdim me takime tematike, vizita në terren dhe prezantime të praktikave më të mira të zhvillimit lokal, duke krijuar themelet për një partneritet të qëndrueshëm në shërbim të qytetarëve të të dy komuniteteve.
Roskoveci dhe Letychiv po ndërtojnë kështu një urë të re bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Ukrainës një urë që mbështetet mbi solidaritetin, shkëmbimin e përvojave dhe vizionin e përbashkët për zhvillim.















