Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, organizoi pritje në Ballkonin e Hapur të Qeverisë me rastin e shënimit të 24 Qershorit, Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian.
Kurti ka thënë se komuniteti egjiptian ka qenë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit shtetndërtues të Kosovës, duke vlerësuar kontributin e tij në periudha të ndryshme historike.
“Në çdo hap të rrugëtimit tonë shtetndërtues, nga përpjekjet e hershme për liri e shpallja e pavarësisë e deri te funksionimi i institucioneve demokratike, komuniteti egjiptian ka qenë pjesë e pandarë e historisë sonë. Për këtë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju shpreh mirënjohjen time më të thellë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se ditët memoriale kanë rëndësi të veçantë, pasi rikujtojnë historinë dhe rolin e komuniteteve në shoqëri.
Kurti shtoi se Kosova është ndërtuar mbi parimet e lirisë, barazisë dhe respektit për dinjitetin e secilit qytetar.
Sipas tij, angazhimi për të garantuar të drejta të barabarta, mundësi të barabarta dhe përfaqësim dinjitoz për të gjitha komunitetet mbetet i palëkundur.
Në fund të postimit, Kurti ka uruar Ditën Memoriale të Komunitetit Egjiptian.














