Canaj tha se gjithçka tashmë varet nga veprimet e partive politike dhe se, edhe nëse Kuvendi konstituohet në seancën e parë e më pas formohet Qeveria, ai pret që vendi të futet sërish në një ngërç politik.
“Tani duhet ta shohim se si do të veprojnë këta, për shkak se është gjithçka në dorën e tyre. Në qoftë se në seancën e parë konstituohet Kuvendi dhe menjëherë pas Kuvendit formohet Qeveria, pres bllokadë prapë. Madje pres të shkojmë në tetor në zgjedhje, për të shkuar sërish në dhjetor në zgjedhje”, deklaroi ai për Gazeta Blic.
Sipas Canajt, nëse partia fituese synon që fillimisht të zgjidhet presidenti e më pas të formohet Qeveria, atëherë mund të ketë hapësirë për një marrëveshje politike.
“Në qoftë se e shohim që partitë politike, përkatësisht partia fituese, është e interesuar që ta bëjë presidentin para Qeverisë, atëherë ka gjasa që të ketë ndonjë marrëveshje, për shkak se pa pasur ndonjë marrëveshje nuk ka zgjidhje. Ne jemi sistem i numrave dhe të gjitha partitë duhet ta respektojnë atë”, tha ai.
Duke komentuar gatishmërinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për bashkëpunim, Canaj tha se këtë e sheh si një dëshirë të personave të caktuar për të siguruar postin e presidentit, por edhe si një taktikë politike për të shmangur përgjegjësinë në rast të zgjedhjeve të reja.
“E shoh si dëshirë të personave të caktuar që të marrin postin e presidentit, e nganjëherë e shoh si një taktikë, për shkak se tani do të zhvillohet beteja se kush është fajtori i shkuarjes në zgjedhje. Taktika është që, nëse bëhet mirë, nëse s’bëhet, atëherë të shohim kush është fajtori”, përfundoi Canaj.













