Adhurim Haxhimusa, profesor universitar dhe ekspert i ekonomisë së energjisë në Zvicër, në EURO n’T7 ka thënë se qeveria e vendit duhet të dalë me një qëndrim konkret rreth projektit të gazit amerikan dhe të mbyllet debati rreth këtij projekti, i cili është shumë i nevojshëm si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.
Haxhimusa ka thënë se qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është të zvogëlojnë ndikimin rus, sidomos në Serbi, dhe nga kjo duhet të përfitojë edhe Kosova, duke ndërtuar infrastrukturën bazë të gazit, e cila mund të përdoret si në proceset industriale, ashtu edhe për ngrohje.
“Ngritja e kësaj infrastrukture bazë do të krijonte njëfarë sigurie energjetike për Kosovën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që ta kenë Kosovën edhe si një akter që ndikon në dizajnimin e gjithë këtij projekti. Prandaj, Kosova nuk duhet ta humbasë këtë rast duke thënë se ka një memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë dhe se çfarë bëjnë ata, ne jemi pas tyre. Është shumë me rëndësi që Kosova ta ketë edhe rolin e saj si dizajnuese e këtij projekti, i cili është strategjik si në aspektin gjeopolitik, ashtu edhe në atë të sigurisë energjetike vendore, për shkak se bën diversifikimin e burimeve energjetike”, ka thënë Haxhimusa.













