Fitimi neto i sektorit bankar të Kosovës është rritur në 83.1 milionë euro (83.1 milionë dollarë) në periudhën janar-korrik 2022, krahasuar me 66.3 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha të mërkurën Banka Qendrore.
Depozitat u rritën me 10.6% në vit, duke arritur në 5 miliardë euro në fund të korrikut, thuhet në raportin e BQK-së, raporton Paparaci.
Asetet e përgjithshme të sistemit bankar të Kosovës arritën në 5.2 miliardë euro në fund të korrikut, krahasuar me 5.6 miliardë euro një vit më parë.
Ndërkaq, kthimi nga aktivet u rrit në 2.7% nga 2.4% dhe kthimi nga kapitali u rrit në 23.3% nga 20.4%.
Shifrat përfshijnë rezultatet financiare të 11 bankave. Raiffeisen Bank në Kosovë dhe ProCredit Bank janë më të mëdhatë në mesin e tyre për sa i përket aseteve.
Teksa fitimet e bankave janë trashur, inflacioni ka goditur ekonominë në Kosovë. Jetët e qytetarëve janë vështirësuar si pasojë e rritjes enorme të çmimeve këtë vit.
Inflacioni në korrik të këtij viti ka arritur 14.2 për qind, tha Agjencia e Statistikave të Kosovës në një raport të publikuar këtë muaj.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 0. 9 për qind në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin qershor të po këtij viti.