Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti trafiku në vendin e tij të punës.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët përmes një postimi në rrjetet sociale, ku kanë ndarë edhe detaje mbi rrethanat e ngjarjes.
Sipas tyre, aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Pikën Kufitare në Morinë. Bazuar në informacionet e para, Gashi kishte dalë për të marrë ajër të pastër, kur u godit nga një veturë.
“Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sot, në orët e para të mëngjesit, në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, si pasojë e një aksidenti tragjik trafiku, ndërroi jetë kushëriri im, Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas informatave të para, ai kishte dalë për të marrë ajër të pastër kur u godit nga një veturë. Për kohën e ceremonisë së varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e familjarëve.
Për rrethanat e aksidentit pritet të ketë më shumë detaje nga autoritetet kompetente, ndërsa familjarët kanë bërë të ditur se për ceremoninë e varrimit do të njoftojnë në vijim.













