Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes ka mobilizuar mëngjesin e sotëm Policinë e Kosovës në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Sipas policisë, rreth orës 08:00 është pranuar një informacion për një mjet të dyshuar shpërthyes në këtë lokacion, pas së cilës njësitet policore kanë reaguar menjëherë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur për Gazetën Express se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.
“Rreth orës 08:00 kemi pranuar një informatë për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar janë evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka deklaruar Pllana.
Policia ka rrethuar zonën me shirita sigurie dhe ka kufizuar qasjen në perimetrin përreth, ndërsa njësitet e specializuara janë duke kryer kontrolle dhe ekzaminime për të verifikuar informacionin.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse dyshimet për mjet shpërthyes janë konfirmuar, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të kontrollit në vendin e ngjarjes.













