Si është e mundur që ndërmarrja më strategjike minerare e Kosovës të marrë një opinion të kundërt nga auditorët, ndërsa vazhdon të financohet me miliona euro nga buxheti i shtetit dhe shumë nga problemet e evidentuara të mbeten të pazgjidhura nga viti në vit?
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare të ndërmarrjes “Trepça” Sh.A. për vitin 2025, duke dhënë opinion të kundërt për pasqyrat financiare dhe konkluzion të kualifikuar për pajtueshmërinë, për shkak të një numri të madh parregullsish financiare, kontabël dhe shkeljesh të legjislacionit në fuqi.
Opinioni i kundërt – është niveli më i rëndë i opinionit në auditim dhe nënkupton se pasqyrat financiare nuk paraqesin gjendjen reale financiare të ndërmarrjes.
Sipas raportit, auditorët kanë konstatuar se pasqyrat financiare të Trepçës nuk paraqesin në mënyrë të drejtë dhe të besueshme gjendjen financiare të ndërmarrjes, ndërsa gjatë auditimit janë identifikuar një sërë mangësish serioze në menaxhimin e aseteve, stokut, të hyrave, detyrimeve dhe proceseve të prokurimit.
Një nga gjetjet kryesore lidhet me vlerësimin e stokut, ku Trepça nuk kishte zbatuar kërkesat e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit. Auditorët konstatuan se për mbetjet teknologjike dhe mbeturinat nga procesi i përpunimit të mineraleve, në vlerë prej mbi 23 milionë euro, nuk kishte dëshmi të mjaftueshme për metodologjinë e përdorur për përcaktimin e vlerës së tyre.
Raporti evidenton gjithashtu se ndërmarrja ka paraqitur mospërputhje materiale ndërmjet pasqyrave financiare dhe evidencave kontabël, ka mbivlerësuar llogaritë e arkëtueshme, nuk ka regjistruar në mënyrë të plotë pasuritë afatgjata dhe nuk ka dokumentacion të mjaftueshëm për pasuri në vlerë prej mbi 42.7 milionë euro.
Auditorët kanë gjetur edhe mungesë të politikave të unifikuara për zhvlerësimin e ndërtesave, pajisjeve dhe automjeteve, duke vlerësuar se kjo krijon rrezik për shtrembërim material të pasqyrave financiare.
Po ashtu, Trepça nuk kishte shpalosur detyrimet kontingjente që rrjedhin nga kontestet gjyqësore në vlerë prej rreth 5.9 milionë euro, ndërsa nuk kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme as për kapitalin aksionar prej mbi 596 milionë euro.
Në aspektin e pajtueshmërisë ligjore, raporti evidenton shkelje në procedurat e prokurimit publik, pasi në një rast operatori ekonomik fitues nuk kishte paraqitur dëshmi të plota për regjistrimin profesional dhe komercial, siç kërkohet me Ligjin për Prokurimin Publik.
Auditorët kanë konstatuar gjithashtu se Njësia Kopaonik-Leposaviq nuk kishte zbatuar Ligjin për Administrimin e Punës në Zyrë lidhur me pranimin dhe protokollimin e dokumentacionit financiar. Në të njëjtën njësi janë evidentuar pagesa ndaj punonjësve që nuk janë trajtuar si pagë bruto dhe nuk janë tatuar sipas legjislacionit fiskal, ndërsa kontratat e punës vazhdonin të mbeteshin në emër të ish-ndërmarrjes “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP-së”.
Raporti ngre shqetësime edhe për inventarizimin e pasurive, duke konstatuar se ai nuk ishte kryer në përputhje me kërkesat ligjore dhe procedurat e brendshme, ndërsa janë identifikuar edhe transferime të 119 punonjësve në pozita të tjera pa nënshkrimin e kontratave ose anekseve përkatëse.
Auditorët theksojnë se Trepça nuk ka kryer zhvlerësimin e pasurive dhe nuk ka bërë provizionimin e llogarive të arkëtueshme sipas standardeve ndërkombëtare, nuk ka miratuar me kohë pasqyrat financiare dhe raportin e menaxhmentit për vitin 2025, si dhe nuk ka hartuar rregulloret e brendshme të kërkuara me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
Raporti evidenton edhe gjendjen e rënduar financiare të ndërmarrjes. Gjatë vitit 2025, Trepça ka regjistruar humbje prej rreth 2.2 milionë euro, ndërsa detyrimet afatshkurtra kanë arritur në 36.7 milionë euro. Ndërmarrja ka përfituar subvencione nga Qeveria në vlerë prej mbi 5.3 milionë euro, të përdorura kryesisht për pagesën e pagave.
Në total, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 36 rekomandime, prej të cilave 10 janë rekomandime të reja, ndërsa 26 janë përsëritur nga vitet paraprake, duke treguar se një pjesë e madhe e problemeve të evidentuara vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
Auditorët rekomandojnë që Bordi Mbikëqyrës dhe menaxhmenti i Trepçës të forcojnë kontrollin e brendshëm, të harmonizojnë evidencat kontabël me pasqyrat financiare, të zbatojnë standardet ndërkombëtare të raportimit financiar, të përmirësojnë menaxhimin e aseteve dhe stokut, të respektojnë legjislacionin për prokurimin publik, administrimin financiar dhe tatimet, si dhe të ndërmarrin masa konkrete për zbatimin e rekomandimeve të pazbatuara nga auditimet e mëparshme. /Klankosova.tv












