Kryeparlamentari i Iranit dhe negociatori kryesor në bisedimet me ShBA-në, Mohammad Bagher Ghalibaf tha se zbatimi i marrëveshjes së armëpushimit që vendi i tij nënshkroi me Shtetet e Bashkuara është “i vështirë, por i arritshëm”.
Ndërkaq, javën e kaluar, zyrtarë nga Teherani dhe Uashingtoni udhëtuan për në Doha të Katarit për bisedime indirekte mbi luftën.
Këto bisedime u ndërprenë nga Irani para funeralit të udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari tha se takimet e ndara indirekte midis negociatorëve amerikanë dhe iranianë në Doha kanë shënuar “përparim pozitiv”.
Al-Ansari tha gjithashtu se takimi i ardhshëm midis negociatorëve do të caktohet “sa më shpejt të jetë e mundur” pas ceremonisë mortore për ish-udhëheqësin suprem të Iranit.
Zëvendëspresidenti i ShBA-së, JD Vance, tha se bisedimet po “shkonin mirë”, megjithëse shtoi se ishte “ende shumë herët”.













