Trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, ka reaguar ashpër pas humbjes ndaj Argjentinës në Kupën e Botës, duke pretenduar se skuadra e tij është trajtuar padrejtësisht.
Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Hassan ka thënë se Egjipti ka vuajtur padrejtësi dhe se rezultati është ndikuar nga faktorë “të brendshëm” dhe “të jashtëm”.
“Pse nuk ka drejtësi në sport? Në futboll? Nuk dua të përpiqem ta them me fjalë të bukura. Sot na është bërë padrejtësi. Kemi vuajtur padrejtësi”, deklaroi ai.
Tekniku egjiptian zbuloi gjithashtu se federata e vendit të tij kishte kundërshtuar përzgjedhjen e gjyqtarit francez François Letexier për këtë përballje.
“Ne e kishim kundërshtuar përzgjedhjen e një gjyqtari të tillë”, ka thënë Hassan.
Ai shtoi se nuk do të ndjekë më asnjë ndeshje të turneut, si formë proteste ndaj asaj që e cilëson si mungesë drejtësie.
“Është mënyra ime e të folurit dhe e të ngriturit të zërit. Nuk do të shikoj asnjë minutë të pjesës së mbetur të kësaj Kupe Bote”, theksoi trajneri i Egjiptit.













