Daut Haradinaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se në kohën kur po mbahet Samiti i NATO-s në Ankara, Kosova po humb mundësi të rëndësishme për të forcuar partneritetet.
Përmes një postimi publik, Haradinaj tha se Kurti po “sorollatet brigjeve të Greqisë”, duke marrë pjesë në simpoziume filozofike, të cilat, sipas tij, nuk kanë sjellë rezultate konkrete për vendin.
“Në anën tjetër po mbahet Samiti i NATO-s në Ankara, aty ku Kosova do të duhej të ishte duke ndërtuar partneritete, duke shtrënguar duar dhe duke hapur shtigje për avancimin e rrugës së saj drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar Haradinaj.
Ai akuzoi Qeverinë se, në vend që t’i krijojë Kosovës mundësi dhe dyer të hapura në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, vazhdon të prodhojë përçarje dhe sulme, duke përmendur raportet me Kosovën, Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është postimi i plotë i tij:
Derisa kryeministri në detyrë sorollatet brigjeve të Greqisë, një shtet që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke marrë pjesë në simpoziume filozofike pa asnjë rezultat konkret për vendin, në anën tjetër po mbahet Samiti i NATO-s në Ankara, aty ku Kosova do të duhej të ishte duke ndërtuar partneritete, duke shtrënguar duar dhe duke hapur shtigje për avancimin e rrugës së saj drejt anëtarësimit në NATO.
Në vend që Kosovës t’i krijoheshin mundësi dhe dyer të hapura në një samit kaq të rëndësishëm, kjo qeveri, përmes përfaqësuesve të saj, vazhdon të prodhojë përçarje e sulme, herë kundër Kosovës, herë kundër Shqipërisë, herë kundër Amerikës.
Nuk do ta lejojmë që ky vend të kthehet prapa. Nuk do ta lejojmë që të dëmtohet aleanca jonë me Amerikën. Nuk do të lejojmë që ndikimi rus të gjejë hapësirë në Kosovë.
Kosova e ka vendin në familjen euroatlantike, krah Amerikës, e cila ka qëndruar pranë nesh në momentet më vendimtare të historisë sonë.













