Inspektorati Sanitar është në pritje të rezultateve laboratorike të mostrave të marra nga hetimet për rastin e dyshuar të helmimit nga ushqimi të rreth 70 pacientëve.
Burime të Gazetës Insajderi bëjnë të ditur se mostrat janë marrë dhe tashmë janë dërguar për analiza, ndërsa Inspektorati Sanitar është në pritje të rezultateve.
Ndërkohë, Insajderi ka tentuar që nga dita e djeshme të marrë një qëndrim nga pronarët e lokalit “Sach Pizza”, i cili përmendet nga familjarët e pacientëve si vendi ku shumica prej tyre kanë konsumuar ushqim ose kanë bërë porosi.
Megjithatë, pronarët nuk kanë qenë të qasshëm dhe nuk kanë dhënë asnjë koment lidhur me rastin.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, pronarë të biznesit “Sach Pizza” figurojnë Shpend Thaqi dhe Petrit Sinani.

Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka bërë të ditur se, nga 10 deri më 13 korrik 2026, ndihmë mjekësore kanë kërkuar rreth 70 pacientë me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi. Prej tyre, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm.
Sipas njoftimit të Klinikës, pacientët janë paraqitur me ankesa si ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diarre. Bazuar në anamnezën e marrë, simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.
“Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) dhe janë evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse (SMSN), në përputhje me procedurat në fuqi. Pacientët janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po marrin trajtimin e nevojshëm, ndërsa gjendja e tyre klinike vazhdon të kërkojë monitorim dhe trajtim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.
Lidhur me rastin është aktivizuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar informacione lidhur me helmimin e disa personave. Prokurori i shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Për çdo zhvillim të ri rreth kësaj çështjeje do t’ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.













