Komuna e Ferizajt ka dhënë një tender për pastrimin e automjeteve zyrtare.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, fitues është shpallur Mehmet Delolli, me një ofertë në vlerë prej afro 10 mijë eurosh.

Në dosjen e tenderit janë dhënë detaje lidhur me punët që duhet kryer.
Aty thuhet se duhet të bëhet pastrimi i veturave nga brenda dhe jashtë dhe ndërrimi i gomave.

Lidhja familjare e fituesit të tenderin me asamblistin e PDK-së
Gazeta Insajderi ka hulumtuar profilin e biznesmenit që fitoi këtë tender.
Mehmet Delolli del se ka lidhje familjare me asamblistin e PDK-së, në Ferizaj Ejup Delolli.
I kontaktuar nga Gazeta Insajderi për të sqaruar nëse ka pasur ndonjë ndikim në dhënien e kontratës, Ejup Delolli mohoi të ketë pasur çfarëdo roli dhe tha se as nuk ishte në dijeni që axha i tij kishte fituar tenderin.
“Unë nuk mundem me pas ndikim se jam vetëm kuvendar në KK të Ferizajt. Kurse për tenderin që po flisni ju, unë tani po e kuptoj që e ka fituar”, u përgjigj ai.“, u përgjigj ai.

Sipas të dhënave në platformën e-Prokurimi, Mehmet Delolli ka përfituar kontrata kryesisht nga Komuna e Ferizajt.
Përveç kësaj kontrate, ai figuron se ka fituar edhe një tender nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për pastrimin e automjeteve zyrtare të këtij institucioni në Ferizaj, sipas kërkesave të ATK-së./insajderi.org./















