Kompania ajrore polake Enter Air, e cila operon edhe fluturime për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës përmes Air Prishtinës, është përballur së fundmi me disa zhvillime që kanë ngritur pyetje mbi operimet dhe raportin e saj me pasagjerët.
Një nga problemet më të mëdha lidhet me detyrimet financiare ndaj udhëtarëve.
Autoriteti polak për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Konsumatorit (UOKiK) vendosi gjatë këtij viti që Enter Air t’u paguajë konsumatorëve kompensime në vlerë prej më shumë se 8.2 milionë zlotë polakë, shumë që tejkalon rreth 1.9 milionë euro.
Vendimi erdhi pas ankesave të shumta të udhëtarëve dhe një procedure ku autoriteti konstatoi probleme me mënyrën e trajtimit të kërkesave dhe ankesave të konsumatorëve.
Sipas vendimit, kompania duhet të kompensojë pasagjerë për raste që lidhen me vonesa të mëdha të fluturimeve, anulime, si dhe probleme me bagazhet dhe procedurat e ankesave.
Përveç problemeve financiare, Enter Air është rikthyer në fokus edhe pas një incidenti gjatë uljes së një avioni në aeroportin e Krakovit
Një aeroplan i modelit Boeing 737 i kompanisë doli jashtë pistës dhe përfundoi jashtë saj pas manovrës së uljes.
Ngjarja u klasifikua si incident serioz dhe u hap hetim nga autoritetet polake të sigurisë së aviacionit.
Po ashtu, një incident me një avion të kompanisë ajrore Enter Air u regjistrua në shtator të vitit 2025 në Aeroportin e Krakovës në Poloni, kur një Boeing 737-800 doli nga pista gjatë uljes pas një fluturimi nga Antalia e Turqisë.
Sipas njoftimeve të aeroportit polak, avioni ishte ndalur në zonën me bar pranë pistës, teksa shërbimet emergjente kishin evakuuar pasagjerët. Fluturimet në aeroport ishin pezulluar për rreth dy orë pas incidentit.
Enter Air është aksionare në Chair Airlines, kompani zvicerane që më parë operonte si Germania Flug.
Ndryshimi i emrit erdhi pas falimentimit të grupit Germania në vitin 2019, që shkaktoi anulime të shumta fluturimesh dhe probleme për mijëra udhëtarë, përfshirë këtu edhe shqiptarë.
Enter Air është një prej operatorëve që lidh diasporën kosovare me Evropën Perëndimore, përmes linjave si Stuttgart–Prishtinë, Düsseldorf–Prishtinë, München–Prishtinë dhe Basel–Prishtinë. Për këtë arsye, zhvillimet që lidhen me kompaninë kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për mijëra udhëtarë nga Kosova.













