Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

E-gjeli i pushtetit të Kurtit: makineria e iluzioneve që prodhon fitore virtuale, por humbje reale për Kosovën

28/07/2026 - 23:55
në Opinione
A A
E-gjeli i pushtetit të Kurtit: makineria e iluzioneve që prodhon fitore virtuale, por humbje reale për Kosovën
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Shkruan: Visar Duriqi

Mbrojtja e kësaj çmendurie digjitale përmes ushtrive fantazmë, profileve të rreme dhe lidhjeve të dyshimta mediatike ka krijuar një realitet paralel në Kosovë. Por ndërsa propaganda ushqen ekranet me gënjeshtra të gatshme, faturat e rënda të jetës reale, kriza ekonomike dhe izolimi ndërkombëtar po rrëzojnë fasadën e Apushtetit. Kosova nuk mund të qeveriset me algoritme dhe ushtri trollësh.

 

Makineria e frikës në Bashkimin Sovjetik nuk mbështetej vetëm te gulagët, por te një armë shumë më efikase për përditshmërinë: gazeta “Pravda” (e vërteta). Për Stalinin, e vërteta nuk ishte diçka që duhej zbuluar në terren dhe raportuar nga gazetarët, por diçka që duhej prodhuar në zyrat e Byrosë Politike. Gazetarët nuk ishin më kërkues të së vërtetës; ata u kthyen në stenografë të terrorit politik, përgjegjës për të regjistruar dhe shpërndarë versionin zyrtar të realitetit.

Mekanizmi i këtij pushteti i parapriu epokës moderne të manipulimit vizual. Fotografitë zyrtare retushoheshin rregullisht me gërshërë e ngjyra sapo dikush nga bashkëpunëtorët e lartë të regjimit humbiste favorin e partisë. Një “armik i popullit” nuk zhdukej vetëm fizikisht; ai eliminohej edhe nga kujtesa kolektive. Ai fshihej nga fotografitë, nga dokumentet dhe nga arkivat, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.

Ndikimi i kësaj propagande ishte shkatërrues për psikologjinë e shoqërisë. Stalini krijoi një popull të zhytur në frikë dhe paranojë, që nuk i lexonte lajmet për t’u informuar, por për të kuptuar se kush ishte shpallur armik dhe kush mund të ishte viktima e radhës. Askush nuk i besonte më as syve të vet, sepse ajo që sot shpallej si e vërtetë absolute nga partia, nesër mund të riklasifikohej si tradhti e lartë. Në këtë sistem, realiteti nuk ishte më diçka që përjetohej; ishte diçka që përcaktohej nga pushteti.

Në Gjermani, Joseph Goebbels e institucionalizoi këtë mekanizëm përmes Ministrisë së Iluminimit Publik dhe Propagandës. Ai e kuptoi një nga dobësitë më të mëdha të shoqërive masive: një gënjeshtër e madhe, nëse përsëritet mjaftueshëm herë dhe nga të gjitha kanalet e mundshme, mund të fillojë të perceptohet si fakt. Regjimi nazist ndërtoi një sistem të plotë për centralizimin dhe monopolizimin e informacionit. Gazetat, radioja, kinemaja dhe kultura u kthyen në instrumente të një narrative të vetme: asaj të shtetit.

Arma e tyre më efektive ishte Volksempfänger (Radioja e Popullit), një pajisje e lirë që regjimi e promovoi dhe e shpërndau gjerësisht për ta futur propagandën naziste në shtëpitë e miliona gjermanëve. Ajo u bë simbol i përpjekjes së shtetit për ta kthyer komunikimin masiv në një kanal njëkahësh, ku qytetarët dëgjonin vetëm mesazhin e regjimit. Alternativat nuk kishin hapësirë reale. Çdo mendim që nuk i përshtatej narrativës zyrtare shtypej. Librat që konsideroheshin “të padëshiruar” u dogjën publikisht në sheshet gjermane, në një prej skenave më simbolike të luftës së regjimit kundër dijes dhe pluralizmit.

Ndikimi i Goebbels-it ishte tragjikisht epokal. Makineria propagandistike naziste arriti të helmonte perceptimin e një pjese të madhe të shoqërisë, duke i bindur miliona njerëz se krimet më monstruoze ndaj fqinjëve, minoriteteve dhe kundërshtarëve politikë ishin në fakt akte patriotike dhe mbrojtje e kombit. Miliona njerëz marshuan drejt katastrofës, sepse realiteti që u lejohej të shihnin ishte vetëm ai i prodhuar nga pushteti.

Kjo filozofi e kontrollit të informacionit nuk u kufizua vetëm në Evropë. Në Afrikë, “Kasapi i Ugandës”, Idi Amin, e ndërtoi pushtetin e tij absolut jo vetëm përmes dhunës fizike dhe aparatit shtetëror të frikës, por edhe përmes kontrollit të informacionit dhe manipulimit të perceptimit publik. Ai e kuptoi se gënjeshtra merr formën më të rrezikshme kur nuk vjen vetëm nga një podium zyrtar, por kur shpërndahet si një pëshpëritje nga një fqinj, një tregtar apo një person i zakonshëm në rrugë. Kur propaganda nuk duket si propagandë, betejat fitohen më lehtë pa shkaktuar dyshime.

Përmes shërbimit të tij famëkeq të inteligjencës, State Research Bureau, regjimi i Idi Amini-t krijoi një klimë të vazhdueshme frike dhe pasigurie. Rrjetet e informatorëve u përdorën për të monitoruar shoqërinë, për të identifikuar kundërshtarët dhe për të përhapur narrativa që justifikonin represionin. Thashethemet, akuzat pa prova dhe frika nga “armiku i brendshëm” u kthyen në mjete të kontrollit politik. Qytetarët nuk dinin më kujt t’i besonin, sepse çdo zë mund të ishte i një informatori dhe çdo akuzë mund të kishte pasoja fatale.

Ndikimi i kësaj strategjie ishte shkatërrues për indin shoqëror. Paranoja depërtoi në çdo shtresë të shoqërisë, duke krijuar një realitet ku njerëzit frikësoheshin edhe nga ata që i kishin pranë. Vlerësohet se gjatë regjimit të Idi Amini-t u vranë rreth 300 mijë njerëz, ndërsa shumë prej zhdukjeve mbetën të mbuluara nga heshtja dhe propaganda shtetërore. Makineria e informacionit kishte vetëm detyrën t’i bindte njerëzit se nuk kishin të drejtë të kërkonin të vërtetën.

Në Amerikën Latine, junta ushtarake e Argjentinës (1976–1983), nën diktaturën e gjeneralit Jorge Rafael Videla, ndërtoi një model tjetër të përdorimit të propagandës: fshehjen e terrorit shtetëror pas një fasade të rendit, stabilitetit dhe patriotizmit. Gjeneralët argjentinas nuk pranonin publikisht se po zhvillonin një fushatë sistematike rrëmbimesh, torturash dhe vrasjesh. Përkundrazi, represioni u paketua me termin zyrtar “Procesi i Riorganizimit Kombëtar”, sikur ushtria të mos po shkatërronte jetët e qytetarëve, por po shpëtonte vendin nga një kërcënim ekzistencial.

Për ta bërë këtë realitet të besueshëm, regjimi përdori kontrollin e mediave, censurën dhe një fushatë të gjerë komunikimi për të ndërtuar një imazh të rremë të normalitetit. Kulmi cinik u arrit gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 1978. Ndërsa bota shihte festën e futbollit dhe Argjentina festonte triumfin sportiv, në qendra sekrete të torturës disidentët rrëmbeheshin, torturoheshin dhe zhdukeshin.

Kjo makineri prodhoi një nga termat më të dhimbshëm të historisë moderne argjentinase: los desaparecidos — të zhdukurit. Mijëra njerëz u zhdukën pa gjurmë, ndërsa familjet e tyre mbetën pa përgjigje. Shoqëria u mbajt nën një narkozë të organizuar të mashtrimit, ku shteti pretendonte se po mbronte qytetarët nga një rrezik i jashtëm, ndërkohë që vetë shteti ishte burimi i terrorit.

Por me kalimin e dekadave, makineritë e propagandës ndryshuan formë. Ato u zhvendosën në hapësirën digjitale. Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), e kuptoi se një nga armët më të fuqishme të epokës moderne ishte kontrolli i perceptimit në rrjetet sociale. Struktura të lidhura me regjimin janë akuzuar dhe dokumentuar për përdorimin e rrjeteve të koordinuara online — ferma trollësh — për të sulmuar kritikët dhe për të amplifikuar narrativën zyrtare. Rasti i gazetarit Jamal Khashoggi e ekspozoi brutalisht këtë realitet: eliminimi i një kundërshtari fillon duke e shkatërruar figurën e tij në hapësirën publike.

Në rajonin tonë, këtë manual të propagandës digjitale e ka zhvilluar Turqia nën drejtimin e Rexhep Taip Erdoganit. Strukturat e njohura si “AK Trolls” janë përmendur shpesh si rrjete të koordinuara që synojnë promovimin e narrativës qeveritare dhe sulmimin e kritikëve. Mijëra përdorues të organizuar prodhojnë hashtag-e, ndryshojnë agjendën ditore dhe varrosin çdo zë kritik nën një valë linçimesh.

Kjo metodologji ka mbërritur edhe në Kosovë. Nuk ka nevojë për vizë.

Këtu, hapja e kësaj lufte hibride zë fill te grupi në Facebook #MeKryeministrin, i cili ka shërbyer shpesh si një gjykatë virtuale e turmës kundër kujtdo që guxon të ngrejë zërin. Sot, ky laborator ka kaluar në një industri të pastër falsifikimi: armatës së propagandës nuk i prin vetëm një profil, por një rrjet i tërë i strukturuar.

Përtej rasteve të zbuluara të profileve si “Lule Gjeli” (i lidhur me emrin e Gent Prokshit) apo “Jona Çitaku”, dosja e këtij rrjeti përfshin profile të tjera të rreme si Hasan Prishtina dhe llogari me emra gjenerikë si Arbër Gashi. Këto profile koordinohen drejtpërdrejt nga qendra shpërndarjeje (hubs) si faqet “Me Kryeministrin”, “Pikëpamja”, “Saga”, si dhe nga një rrjet portalesh “fantom” pa redaksi reale (si Zëri i Popullit, Lajmet e Fundit, Kosova Sot Online).

Ata nuk improvizojnë; ata ndjekin skenare të parapërgatitura me fraza identike (copy-paste) që vërshojnë në çdo koment:

“Gazetarë të shitur!” “Argatë të Serbisë / Shpijuna i Beogradit.” “Sa para i keni marrë nga opozita / regjimi i vjetër për këtë shpifje?” “Lejojeni burrin me punu, s’po e lini rehat asnjë ditë.”

Këtij automatizimi shtetëror mund t’i vendosim lehtësisht prapashtesën e-gjeli Lule Gjeli elektronik. Por, në zhargonin tonë kosovar, kjo tingëllon fiks si exheli -engjëlli i vdekjes, ose momenti i mbarimit.

Këtu ngrihet edhe dilema më e madhe cinike: Ky pushtet që mbushet frymë duke u ankuar se Kosova po përballet me luftë hibride nga jashtë, është i njëjti pushtet që ka organizuar dhe sponsorizuar një luftë hibride shkatërrimtare nga brenda kundër qytetarëve dhe gazetarëve të vet. A do të jetë ky “e-gjel” pikërisht ‘exheli’ politik i këtij pushteti?

Por skandali ka rrënjë akoma më të thellë bashkëpunimi. Gjashtë vite më parë, në vitin 2020, profili i rremë “Lule Gjeli” nuk mjaftohej me komente, por publikonte opinione si autore në platformën Kallxo.com. Në atë kohë, ky medium lidhej ngushtë me figura si Haki Abazi, zëvendëskryeministër i Albin Kurtit. Kjo afërsi u reflektua edhe te bojkoti i ministrave ndaj mediave kritike, krahasuar me dyert e hapura që gjenin te Jeta Xharra.

Kulmi i absurditetit profesional u arrit kur BIRN dhe Kallxo.com morën rolin e verifikuesve zyrtarë të fakteve (fact-checking) për Facebook në Kosovë. Këtu ndodh konflikti më skandaloz i interesit: një medium që vetë garon në tregun e lajmeve, merr rolin e policit dhe arbitrit për të vlerësuar dhe ndëshkuar konkurrentët e tij përmes zvogëlimit të shtrirjes (reach). Kur lojtari mban bilbilin e arbitrit, loja e lirë vdes.

Është pak a shumë sikurse tash Devollit ti japim në dorë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës derisa kompania është në industrinë e ushqimit- qumështit dhe produkteve të tij, e Devolli të tregoi se kush ka qumësht cilësor.

Dhe kështu mbyllet rrethi: nga njëra anë e-gjelat që linçojnë në rrjet, dhe nga ana tjetër “fact-çekerat” miqësorë që godasin mediat nga brenda me gjobitje online që i dëmton praktikisht në treg.

Veç kërkohet kohë, që nuk e kemi luks, por çdo pushtet që investon në kontrollin e narrativës përballet me murin e realitetit. Kostoja e kësaj fushate bie drejtpërdrejt mbi xhepin e qytetarëve: pas valës së inflacionit dhe rritjes drastike të çmimeve të shportës, energjisë e shërbimeve, kostoja e jetesës mbetet në nivele alarmante. Raportet e FMN-së dhe institucioneve ndërkombëtare kërkojnë reforma strukturore dhe investime reale, jo hashtagë.

Kësaj i shtohet edhe dëmi i rëndë gjeopolitik: përplasjet kokëfortë me aleatët strategjikë, SHBA-në dhe BE-në, e kanë futur vendin në izolim dhe sanksione pas tensioneve të vitit 2023.

Në epilogun e çdo mashtrimi, një qeveri mund ta fitojë luftën e ekraneve e në Facebook, mund të orkestrojë miliona komente dhe mund të fabrikojë një realitet virtual. Por ekonomia nuk komandohet nga algoritmet. Çmimet e shportës nuk ulen me pankarta propagandë. Investimet e huaja nuk vijnë nga hashtag-ët. Pagat e punëtorëve nuk ngrihen nga ushtritë e trollëve. Vota e rreme e një profili fantazmë nuk e mbyll dot muajin e as nuk e paguan faturën e një familjeje. Kosova nuk mund të qeveriset me ushtri fantazmash.

JU REKOMANDOJMË

Energjia nuk është çështje partie. Është çështje shteti

Energjia nuk është çështje partie. Është çështje shteti
15/07/2026 - 11:38

Shkruan Donika Kadaj Interesi i Kosovës qëndron mbi interesat partiake. Sidomos kur flasim për energji. Historia na ka mësuar shtrenjtë: vendimet e ngutshme dhe obligimet e marra pa...

Më shumëDetails

Kosovarizmi i ri

Enver Hasani: Glauk Konjufca, Blerim Shala ose Bekim Jashari shumë më lehtë mund t’i marrin votat për President se Vjosa Osmani
14/07/2026 - 15:01

Shkruan: Enver Hasani Ajo kishte karakter më të gjerë politik dhe përfshinte shqiptarë nga viset jashtë Kosovës, duke synuar barazi kombëtare dhe politike. Për këtë arsye, çështja shqiptare...

Më shumëDetails

Shko, Albin!

Shko, Albin!
13/07/2026 - 10:21

Kur kemi hyrë në pjesën e dytë të dekadës sate në pushtet, ka ardhur koha me shku. Shkruan: Valdrin Dervishaj Shko si në prillin e vitit 2021, kur...

Më shumëDetails

Kosova ka votuar. Tani është koha për të qeverisur

Kosova ka votuar. Tani është koha për të qeverisur
09/07/2026 - 13:47

Opinion nga Eva Palatová, Ushtruese e Detyrës së Shefes së Bashkimit Europian në Kosovë Gjatë tetëmbëdhjetë muajve të fundit, qytetarët e Kosovës kanë dalë në zgjedhje tri herë...

Më shumëDetails

Tri sfidat kryesore që e presin qeverinë e ardhshme të Kosovës

Tri sfidat kryesore që e presin qeverinë e ardhshme të Kosovës
08/07/2026 - 12:09

Shkruan: Naim Jakaj Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit nuk kanë prodhuar ndryshim të madh në renditjen e partive politike, por kanë ngushtuar paksa epërsinë e Lëvizjes Vetëvendosje....

Më shumëDetails

Ngërçi i (pa)tejkalueshëm: Një analizë sociopsikologjike e krizës politike në Kosovë

Ngërçi i (pa)tejkalueshëm: Një analizë sociopsikologjike e krizës politike në Kosovë
02/07/2026 - 23:11

Shkruan: Dashamir Bërxulli Kosova zhvilloi para tre javësh zgjedhjet parlamentare, të tretat në një hark kohor prej 16 muajsh. Në kuptimin numerik rezultati i dalë nga kutitë e...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Skandal i dyfishtë: “Vatan Med” u kap duke kryer transplant flokësh pa licencë, por Inspektorati vendosi vetëm gjobë, jo edhe ndalimin e veprimtarisë

    Skandal i dyfishtë: “Vatan Med” u kap duke kryer transplant flokësh pa licencë, por Inspektorati vendosi vetëm gjobë, jo edhe ndalimin e veprimtarisë

    107 Shpërndaje
    Shpërndaje 43 Tweet 27
  • Inspektorati i Punës për rënien e vinçit: Punëtori humbi jetën në vendpunishten e kompanisë “Vllezërit Asllani” me pronar Qazim Asllanaj

    100 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • “Pa biokimist, pa mbikëqyrje, me analiza jashtë spitalit”: Inspektorati gjobit simbolikisht spitalin “Bahceci” për parregullsi të shumta

    119 Shpërndaje
    Shpërndaje 48 Tweet 30
  • Ermal Panduri paralajmëron zbulimin e profilit “Jona Çitaku”, aludon se pas tij qëndron një profesor nga Vushtrria

    95 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Distancohet familja Gjinovci: Informacionet për lidhje me Arkanin lidhen me anën e dajëve të Rronit, jo me ne

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë