Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka kërkuar delegatëve që ta ndihmojnë në bashkimin e partisë, derisa mbajtjen e Kuvendit të LDK-së të enjten e ka quajtur të panevojshëm, të dëmshëm dhe të ngutshëm.
Ai ka theksuar se LDK-ja ka nevojë për bashkim, e Kosova ka nevojë për stabilitet institucional.
“LDK ka nevoje për bashkim; gjersa Republika ka nevojë për stabilitet institucional, për institucione funksionale dhe për një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo llogari tjetër. Ky do të mbetet orientimi ynë. Kështu njihet LDK”, ka shkruar ai një ditë pasi Kuvendi i LDK-së ia konfirmoi udhëheqjen si kryetar partie.
Abdixhiku e ka quajtur sprovuese kërkesën për largimin e tij si kryetar, duke shtuar se kjo nuk i ndryshon vlerat e LDK-së.
“Kjo periudhë na sprovoi. Por sprovat nuk duhet të na ndryshojnë vlerat. LDK-ja është ndërtuar mbi kulturën e dialogut, të maturisë dhe të respektit për mendimin ndryshe. Pikërisht këto vlera duhet të na udhëheqin edhe tani. Prandaj sot kam vetëm mirënjohje. Mirënjohje për ata që më besuan. Po aq mirënjohje edhe për ata që menduan ndryshe. Demokracia nuk kërkon njëzëshmëri; ajo kërkon respekt. Tani, më ndihmoni të gjithë, të bashkojmë këtë shtëpi; dhe nga këtu të bashkojmë dhe gjithë Kosovën”, ka shkruar ai ndër të tjera.












