Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar vizitë në vendin e gërmimeve në Zubin Potok. Dyshohet se në këtë lokacion gjenden mbetje mortore të 23 personave të zhdukur gjatë luftës. Kurti tha se zhvillimet në këtë lokacion dëshmojnë përpjekjet për fshehjen e krimeve të luftës, teksa bëri të ditur se gjatë kohës sa ndodheshin në terren janë zbuluar edhe mbetje të tjera mortore.
“Është dhimbje, pikëllim e mundim të shohësh se si 27 vjet pas përfundimit të luftës, e vërteta të cilën u përpoqën ta heshtin e ta zhdukin, bërtet. Dhe sa ishim ne aty, u zbuluan edhe disa koka të reja, meqenëse gërmimet edhe gërmimi po vazhdon. Unë e falënderoj Institutin e Mjekësisë Ligjore me ekspertët e forenzikës dhe antropologët, gjithashtu edhe ata që janë nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga EULEX-i, për punën që po bëjnë. E kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të shtetit tonë në përgjithësi, në mënyrë që ankthi, vuajtja e familjeve të cilët ende i kanë më të dashurit e tyre të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë të marrë fund. Dhe për këto familje, për të cilat ende nuk ka përfunduar lufta, më në fund të mundesh që në paqe e të qetë të kenë varre të dinjitetshme për ata që u vranë në pranverën e vitit 1999, vetëm dhe vetëm për shkak të identitetit të tyre kombëtar shqiptar”.
Ai tha se rezultatet përfundimtare do të varen nga analizat e ADN-së, por se dyshimet janë se bëhet fjalë për grupin e 23 intelektualëve shqiptarë të rrëmbyer dhe ekzekutuar në prill të vitit 1999.
“Duhet t’i presim analizat e ADN-së, por me shumë gjasa bëhet fjalë për shqiptarët të njohur si grupi i intelektualëve, 23 sosh, të cilët më 19 prill, para 27 vjetëve, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, të cilët nuk u mjaftuan me këtë krim mizor, por u orvatën që t’i zhdukin gjurmët e krimit të tyre. Dhe andaj, në këtë vend në të cilin ju po e shihni se drejt tek varreza masive nuk arrihet dot me veturë, ta varrosin të vërtetën e tyre si ekzekutorë të një projekti gjenocidal që synonte shfarosjen e shqiptarëve”.
Kurti paralajmëroi se gërmimet do të vazhdojnë për javë apo edhe muaj, pasi mbetjet mortore janë gjetur të shpërndara.
“Tash do të vazhdojnë këto gërmime edhe shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj, meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe janë buzë një përroi, i cili me shumë gjasa në stinën e pranverës është një përrua i fuqishëm dhe në këtë mënyrë trupat, edhe nëse janë varrosur në të njëjtin vend, mund të mos jenë aty”. Ai foli edhe për proceset gjyqësore që lidhen me krimet e luftës, duke akuzuar Serbinë se po arreston persona që kanë dhënë informacione për krimet.
“Në anën tjetër, e dimë që kemi një proces të drejtësisë tashmë, ku dy persona janë të arrestuar. Por ajo që është e çuditshme është që po ndodhin arrestime edhe në Serbi me qëllimin e kundërt. Të gjithë jemi dëshmitarë që Serbia po arreston serbë të cilët para më shumë se dy dekadash na i paskan treguar UNMIK-ut e organizatave ndërkombëtare për krimet e Serbisë, dhe këtë po e bën nën akuzën për spiunazh”.
Kurti kërkoi hapjen e arkivave në Beograd, duke përmendur veçanërisht dosjen e Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave.
“Në vend që Beogradi zyrtar t’i hapë arkivat e forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake të armatosura që kanë kryer krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë, ajo të gjithë ata të cilët japin çfarëdo informacioni i akuzon, i arreston dhe mund të thuhet tashmë i ndëshkon për spiunazh. Në veçanti do kisha theksuar dosjen e Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave, e cila ka bërë masakra në Kosovë, e posaçërisht në Drenicë, dhe arkivi, dosja e së cilës në vitin 2014 është klasifikuar për tri dekada. Pra, sipas Beogradit, ajo dosje nuk bën të hapet deri në vitin 2044. Ne nuk mund të presim tash edhe 18 vjet që të zbardhet e vërteta, prandaj edhe njëherë i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që këto dokumentacione të klasifikuara që janë në Beograd të deklasifikohen dhe të zbardhet e vërteta në mënyrë që ata mbi 1,500 persona që janë ende të pagjetur, ato qindra familje të cilat po presin për më të dashurit e tyre, më në fund t’ju përfundojë ankthi edhe dhimbja e të mund t’i varrosin me dinjitet eshtrat e anëtarëve të familjeve të tyre, të më të dashurve të tyre. Pra, edhe njëherë, ka shumë dokumentacion të klasifikuar në Beograd i cili mund të hapet vetëm nëse ka trysni të mjaftueshme ndërkombëtare, e njëra specifikisht është ajo e Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave”.
Në fund, ai falënderoi institucionet dhe ekipet e përfshira në procesin e gërmimeve.
“Faleminderit të gjithëve që po e ndiqni këtë zhvillim që është shumë i dhimbshëm në njërën anë, shumë pikëllues, mirëpo gjithashtu edhe është një ngjarje për të cilën duhet të përgëzojmë punën e institucioneve të Kosovës, Policisë së Kosovës, policisë hetuese dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në mënyrë që shpresat të mos humben dhe lufta të përfundojë edhe për ata për të cilët ende nuk ka mbaruar, meqë nuk i kanë varret e më të dashurve të tyre më shumë se 27 vjet pas përfundimit të luftës”.
Duke iu përgjigjur gazetarëve për retorikën e zyrtarëve serbë ndaj Kosovës, Kurti tha se ajo synon të mbulojë krimet e kryera gjatë luftës.
“Pikërisht duke e ditur se çfarë kanë bërë në Kosovë jo vetëm gjatë luftës së fundit, por sidomos gjatë luftës së fundit, ata perpiqen që me shpifje e me fushata të shtrenjta të mbulojnë të vërtetën, të shpërqendrojnë opinionin publik ndërkombëtar dhe të vazhdojnë avazin e vjetër ku Serbia mbetet një lloj xhandari i Ballkanit në marrëdhënie të ngushta me Kremlinin e Rusisë. Prandaj shpresa jonë është në institucionet tona, në popullin tonë, por gjithashtu edhe në faktorët demokratikë evropianë e amerikanë e perëndimorë në përgjithësi, të cilët duhet ta kushtëzojnë Serbinë me hapjen e arkivave në Beograd në mënyrë që të vijmë drejt tek e vërteta. Janë dy mënyra për të ardhur tek e vërteta: Njëra është përmes hulumtimeve të këtilla të cilat marrin shumë kohë e mund dhe rezultatet nuk janë të mëdha, dhe tjetra është nëpërmjet përgjegjësisë së atyre që i kanë kryer këto krime, nëpërmjet hapjes së dosjeve dhe arkivave, e cila do të na kursente neve shumë kohë, shumë burime të shtetit dhe mbi të gjitha do t’i kursente familjet që po i presin më të dashurit e tyre që t’i varrosin në vendlindje”.
I pyetur për mbështetjen ndërkombëtare për procesin e gërmimeve, ai tha se pret angazhim më të madh.
“Unë këtu i pashë dy ekspertë profesionistë të EULEX-it për forenzikë dhe antropologji, i falënderova ata, por unë besoj që faktorët ndërkombëtarë kanë mundësi dhe duhet të bëjnë shumë më tepër në mënyrë që fati i këtyre që janë ende të zhdukur 27 vjet pas luftës në Kosovë të zbardhet një ditë e më përpara.”/Ekonomiaonline











