Analisti politik Arton Muhaxheri, në një prononcim për GazetaBlic, ka folur për situatën aktuale politike në Kosovë dhe ngërçin institucional që po vazhdon, duke e vlerësuar gjendjen si shumë të rëndë.
“Në fakt, situata politike në Kosovë po duket të jetë shumë e rëndë dhe përgjegjësia kryesore për këtë ngërç bie mbi një njeri që ka vendosur ta përqendrojë të gjithë pushtetin në duart e veta dhe nuk po e njeh gjuhën e dialogut ndërpartiak”, ka thënë Muhaxheri.
Sipas tij, aktualisht janë duke u zhvilluar tri skenarë politikë.
“Sot po shohim një politikë të ndërtuar mbi tri skenarë. I pari është zgjedhja e një presidenti konsensual, sipas kërkesës së Kurtit, ndërsa presidenti aktual do të duhej të hiqte dorë nga një pjesë e kompetencave të tij. Skenari i dytë është caktimi i zgjedhjeve më 27 dhjetor, ku Kurti llogarit në përfitimin nga votat e diasporës. Ndërsa skenari i tretë është ai që unë do ta quaja “Republika e Tretë”, ku pas 4 tetorit Kosova rrezikon të mbetet edhe pa ushtrues detyre të presidentit, pas përfundimit të mandatit, dhe më pas ligji e rendi kushtetues të interpretohen sipas interesave të Kurtit”, ka deklaruar.
Muhaxheri vlerëson se të tre skenarët janë të dëmshëm për Kosovën.
“Të tre këta skenarë janë të rrezikshëm dhe të dëmshëm për Kosovën, sepse asnjëri nuk ofron një zgjidhje të qëndrueshme politike dhe institucionale”, ka thënë ai.
Sa i përket përgjegjësisë për situatën, Muhaxheri thotë se ajo nuk mund t’u atribuohet në mënyrë të barabartë të gjitha partive politike.
“Përgjegjësia nuk mund të shpërndahet në mënyrë të barabartë te të gjitha partitë politike kur njëra palë refuzon dialogun dhe kompromisin dhe tenton ta mbajë të gjithë kontrollin politik”, është shprehur Muhaxheri..
Ai nuk pret që institucionet të zhbllokohen lehtë përmes një marrëveshjeje politike.
“Nuk pres që në këtë situatë të ketë një marrëveshje të lehtë politike që do t’i zhbllokojë institucionet. Përkundrazi, pres që përplasja politike të thellohet dhe opozita të kalojë nga deklaratat dhe qëndrimet procedurale në veprim konkret politik, përfshirë edhe protestat”, ka deklaruar ai.
Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Muhaxheri thotë se rezultati mund të ndryshojë, por kjo nuk garanton zgjidhjen e krizës.
“Nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, rezultati mund të ndryshojë, por nuk ka asnjë garanci se ato do ta zgjidhin problemin. Ekziston rreziku që Kosova të rikthehet sërish në të njëjtën pikë”, ka thënë ai.
Në fund, analisti politik ka theksuar se Kosovës i nevojitet një zgjidhje politike dhe institucionale, e jo një tjetër proces elektoral.
“Prandaj, ajo që i duhet Kosovës sot nuk është një tjetër kalkulim elektoral, por një zgjidhje politike që e rikthen funksionimin normal të institucioneve, dialogun ndërpartiak dhe respektimin e rendit kushtetues. Përndryshe, mund të hyjmë në një krizë shumë më të thellë politike dhe institucionale”, ka përfunduar Muhaxheri.












