Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se në parim do ta mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, nëse për këtë arrihet konsensus brenda grupit parlamentar të LDK-së.
Kica-Xhelili tha se qëllimisht nuk ishte deklaruar më herët për kandidaturën, pasi Sejdiun e njeh prej vitesh në aspektin profesional, që nga koha kur ishte e angazhuar si avokate dhe kur kishte raste që kishin përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë qëllimisht ende nuk jam deklaruar, meqë kam një prapavijë, le të themi, pak më ndryshe në raport me këtë kandidaturë, jo në kuptimin e saj negativ, natyrisht, sepse unë zotëri Sejdiun e kam njohur përmes angazhimit tim si avokate dhe asokohe natyrisht që kemi pasur lëndë të cilat kanë shkuar në Gjykatën Kushtetuese. Dhe njerëzit e profesionit e kuptojnë që, pavarësisht që respektohen të gjitha vendimet e gjykatave në Kosovë, janë disa vendime që ne zakonisht i cilësojmë si pak më cilësore se të tjerat, në kuptimin se si ato analizohen dhe shkruhen”, tha ajo.












