Dhomat e Specializuara të Kosovës do ta trajtojnë çështjen e dëmshpërblimit të viktimave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Vendimi për zhvillimin e kësaj procedure është marrë nga Trupi Gjykues II pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator.
Sipas urdhrit të gjykatës, viktimat nuk do të udhëzohen që për zhdëmtim të drejtohen përmes padive civile në gjykatat e Kosovës, nëse Mbrojtja nuk kundërshton këtë mënyrë të trajtimit të kërkesave të tyre.

Në urdhër thuhet se gjykatat civile në Kosovë, sipas vlerësimit të Panelit, nuk ofrojnë një rrugë “efektive dhe realiste” për viktimat e këtij rasti që të kërkojnë zhdëmtim për krimet për të cilat të akuzuarit janë shpallur fajtorë.
Paneli ka marrë parasysh, ndër të tjera, edhe faktin se viktimave pjesëmarrëse në procedurë u është garantuar anonimiteti ndaj publikut.
Në arsyetimin e tij, Paneli ka vlerësuar gjithashtu se referimi i viktimave në gjykatat e Kosovës mund të rrezikojë masat mbrojtëse të vendosura nga Dhomat e Specializuara dhe të ndikojë negativisht në të drejtën e tyre për zhdëmtim. Sipas tij, Dhomat e Specializuara përbëjnë forumin më të përshtatshëm për përcaktimin e zhdëmtimeve që burojnë nga krimet për të cilat janë dhënë dënimet.
Megjithatë, ky hap nuk është ende përfundimtar. Mbrojtjes i është dhënë mundësia të paraqesë kundërshtime ndaj vendimit për të mos i referuar viktimat në gjykatat e Kosovës deri të martën, më 22 shtator 2026. Mbrojtja e Viktimave dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) mund t’u përgjigjen kundërshtimeve deri më 25 shtator. Nëse nuk paraqiten kundërshtime, Paneli do të vazhdojë me procedurën e zhdëmtimeve.
Trupi Gjykues ka përcaktuar edhe afatet për paraqitjen e provave. Mbrojtja e Viktimave duhet ta njoftojë Panelin deri më 22 shtator për çdo ndryshim në provat që synon të paraqesë. Nëse vazhdon me planin e paralajmëruar, tri raportet e ekspertit Dr. Stefan Lerz, raporti mbi format e mundshme të zhdëmtimeve kolektive dhe provat nga viktimat duhet të dorëzohen deri më 7 tetor 2026

Edhe ekipet e Mbrojtjes duhet të njoftojnë deri më 22 shtator nëse synojnë të paraqesin prova në kuadër të procedurës së zhdëmtimeve.
Ndërkohë, Mbrojtja e Viktimave është urdhëruar që kërkesën konkrete për zhdëmtime ta dorëzojë deri më 14 tetor 2026. ZPS-ja dhe ekipet e Mbrojtjes do të kenë afat deri më 4 nëntor 2026 për t’iu përgjigjur kësaj kërkese.
Në dispozitivin e urdhrit, Trupi Gjykues II konfirmon se do të zhvillojë procedurën e zhdëtimeve dhe do të nxjerrë një urdhër për zhdëmtim sipas nenit 22(8) dhe rregullës 168, me kusht që Mbrojtja të mos paraqesë kundërshtime.
Urdhri është nxjerrë më 16 shtator 2026 në Hagë nga Trupi Gjykues II, i kryesuar nga gjyqtari Charles L. Smith III.













