Katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u dënuan të mërkurën në Hagë me gjithsej 81 vjet burgim. Aktgjykimi i shkallës së parë nuk është ende përfundimtar, pasi mbrojtja mund ta dërgojë rastin në Apel. Por çfarë ka ndodhur me të dënuarit e tjerë të Gjykatës Speciale kur rastet e tyre kanë kaluar në shkallët e tjera të gjykatës?
Në rastet e deritanishme të Gjykatës Speciale, Apeli ka konfirmuar disa prej dënimeve dhe akuzave, por në raste të caktuara ka ndryshuar vendimet e shkallës së parë, përfshirë edhe uljen e dënimeve. Në një rast, Apeli ka rrëzuar edhe një nga pikat e aktakuzës dhe ka shpallur të akuzuarit të pafajshëm për atë pikë, shkruan Insajderi.
Një shembull është rasti i Salih Mustafës, i njohur si “Cali”.
Mustafa u shpall fajtor në dhjetor të vitit 2022 për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes dhe u dënua me 26 vjet burgim nga shkalla e parë e gjykatës.
Në dhjetor të vitit 2023, Apeli i konfirmoi dënimet për veprat për të cilat ishte shpallur fajtor, por ia uli dënimin e përgjithshëm nga 26 në 22 vjet burgim.
Mustafa më pas iu drejtua Supremes me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
Më 29 korrik të 2024-ës, Supremja e pranoi pjesërisht kërkesën e tij dhe e anuloi vendimin e Apelit sa i përket dënimit prej 22 vjetësh. Çështja u kthye në Apel për rishqyrtim të dënimit.
Pas këtij vendimi, Apeli në shtator 2024 caktoi dënimin e ri prej 15 vjetësh burgim.
Pra, në rastin e Mustafës, rruga nga shkalla e parë te Apeli dhe më pas te Supremja përfundoi me një ulje të dënimit nga 26 në 15 vjet. Më vonë, edhe kërkesa e Mustafës dhe ajo e Prokurorisë ndaj këtij vendimi u rrëzuan nga Supremja.
Gucati dhe Haradinaj, Apeli rrëzoi një pikë të aktakuzës
Rast tjetër është ai i Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Të dy u dënuan në maj 2022 me nga 4 vjet e 6 muaj burgim, si dhe me nga 100 euro gjobë.
Në Apel, vendimi nuk u la plotësisht në fuqi. Trupi gjykues konfirmoi fajësinë për katër nga pikat, por i shpalli të dy të pafajshëm për pikën e dytë të aktakuzës. Njëkohësisht, dënimi iu ul nga 4 vjet e 6 muaj në 4 vjet e 3 muaj burgim.
Pika e dytë e aktakuzës kishte të bënte me veprën penale “pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të veprimit të përbashkët të një grupi”.
Paneli i Apelit arriti në përfundimin se elementet e veprës penale të parashikuara në pikën e dytë nuk ishin provuar përtej dyshimit të arsyeshëm.
Më pas, Gucati dhe Haradinaj iu drejtuan Supremes me kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë. Më 18 shtator 2023, Supremja i rrëzoi kërkesat e tyre.
Të dy e përfunduan vuajtjen e dënimit më 24 dhjetor të 2024-ës.
Pjetër Shala, nga 18 në 13 vjet
Edhe rasti i Pjetër Shalës është relevant për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë me aktgjykimet dënuese në Apel.
Në korrik të 2024-ës, Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje dhe u dënua me 18 vjet burgim.
Në korrik të 2025-ës, Apeli i konfirmoi fajësitë për të tri veprat, por ia uli dënimin nga 18 në 13 vjet burgim.
Shala e dërgoi më pas rastin në Supreme përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Më 9 mars 2026, Supremja e rrëzoi kërkesën në tërësi. Trupi gjykues tha se mbrojtja nuk kishte dëshmuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, të ligjit penal apo të procedurave.
Kështu, për Shalën, dënimi i mbetur pas Apelit ishte 13 vite.
Çfarë tregojnë këto raste për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin?
Rasti i katër ish-krerëve të UÇK-së është tashmë në një fazë tjetër.
Më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues i dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet, Rexhep Selimin me 13 vjet dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim, ose gjithsej 81 vjet.
Megjithatë, ky është aktgjykimi i shkallës së parë. Mbrojtja mund ta apelojë atë.
Eksperienca e rasteve të mëparshme tregon se Apeli nuk është domosdoshmërisht procedurë ku aktgjykimi konfirmohet ose rrëzohet në tërësi.
Në rastin e Mustafës, dënimi u ul fillimisht nga 26 në 22 vjet dhe, pas ndërhyrjes së Supremes, më pas në 15 vjet.
Në rastin Gucati-Haradinaj, Apeli rrëzoi një pikë të aktakuzës dhe uli dënimet.
Në rastin Shala, fajësitë u konfirmuan, por dënimi u ul nga 18 në 13 vjet.
Ndërsa Supremja ka një rol tjetër. Ajo shqyrton kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, pra çështje të caktuara juridike, dhe nuk funksionon si tjetër shkallë e Apelit. Në rastin e Mustafës, vendimi i Supremes pati si pasojë kthimin e çështjes së dënimit në Apel, ndërkaq në rastet Gucati-Haradinaj dhe Shala, kërkesat u rrëzuan.













