Venkateswari Alagendra, avokatja kryesore e Jakup Krasniqit, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, duke paralajmëruar ankesë ndaj vendimit.
Alagendra ka thënë se ekipi mbrojtës është i zhgënjyer me vendimin dhe se do ta analizojë me kujdes arsyetimin e trupit gjykues.
“Është tashmë e qartë se do ta apelojmë këtë aktgjykim. Qëndrimi ynë është se rezultati i vetëm i përshtatshëm, bazuar në provat, ishte shpallja i pafajshëm e Jakup Krasniqit për të gjitha akuzat”, ka deklaruar ajo.
Avokatja ka theksuar edhe moshën e Krasniqit, duke thënë se ai është afër 76 vjeç dhe se ka kaluar gati gjashtë vjet në paraburgim në lidhje me këto akuza.
Sipas saj, gjatë gjykimit më shumë se dyvjeçar, asnjë dëshmitar nuk ka deklaruar se është keqtrajtuar nga Krasniqi apo në praninë e tij. Ajo ka shtuar se dëshmitarë ndërkombëtarë dhe të Prokurorisë nga Kosova e kanë përshkruar atë si një lider të moderuar dhe demokrat.
Alagendra ka thënë se Krasniqi është krenar që ka luftuar për Kosovën e re të lindur në vitin 1999 dhe se ai shpreh mirënjohje për popullin e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme gjatë këtij procesi.
“Historia nuk mund të rishkruhet. Mbrojtësit e jetës dhe lirisë, për të cilat UÇK-ja synoi dhe punoi, nuk mund të paraqiten tani si keqbërës të historisë”, ka thënë ajo.
Ekipi mbrojtës, sipas Alagendrës, do të shqyrtojë mundësitë për apel dhe mjetet e tjera juridike. /IndeksOnline/














