Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme t’i tërheqë që nesër lëndët e dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese, nëse Lëvizja Vetëvendosje zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se një kusht tjetër është që LVV-ja të marrë përsipër mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe ta trajtojë procesin me përgjegjësi shtetërore.
“Nëse LVV zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin e dorëzuar sot për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, do të marrë përsipër mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe do ta trajtojë këtë proces me përgjegjësinë e duhur shtetërore, ne jemi të gatshëm t’i tërheqim lëndët nga Gjykata Kushtetuese qysh nesër”, ka shkruar Çitaku.
Deklarata e saj vjen pas nismës së PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Më herët, LVV ka deklaruar se fillimisht duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të sjellë ndërhyrja në këtë fazë të procedurave në Hagë.













